Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka thënë se nuk ka nënshkruar asgjë, sepse Serbia nuk ishte e gatshme ta bënte një gjë të tillë. Veç kësaj, ai konfirmoi se pranoi planin evropian, duke thënë se ai është i pranueshëm dhe i pandryshueshëm.

Unë nuk nënshkrova, sepse Serbia nuk ishte e gatshme të nënshkruante”, tha ndër tjerash shefi i ekzekutivit.

Gjithashtu, kreu i qeverisë së Kosovës foli edhe për rrjedhën e takimit, duke thënë se ishte pozitiv.

“Sot patëm një takim pozitiv, konstruktiv në Bruksel dhe ky takim ishte konfirmim që propozimi evropian është i pranueshëm i pandryshueshëm. Unë qysh më herët pata thënë që është bazë e mirë dhe platformë solide për të ecur përpara. Tash, ecja përpara do të jetë për planin e zbatimit, por do të ketë edhe takim të radhës të nivelit të lartë, diku kah mesi i muajit mars, sërish me lehtësimin e Borrell dhe Lajçak”, tha Kurti. 

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u takuan sot në Bruksel, me ndërmjetësimin e shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Në përfundim të takimit nuk u arrit asnjë marrëveshje dhe bisedimet për çështjen u shtynë më 18 Mars në Maqedoninë e Veriut. Paraprakisht, dy udhëheqësit u takuan veç e veç me zyrtarët evropianë. Kurti dhe Vuçiç takuan edhe të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, përpara takimit të përbashkët. Blloku evropian e konsideron takimin e sotëm mes tyre  të gjashtin me radhë si më të rëndësishmin. Propozimi, i cili u është dorëzuar atyre që në fund të verës, përkrahet edhe nga Shtetet e Bashkuara. Propozimi evropian nuk e përmend në mënyrë specifike Asociacionin, por përfshin zotimin e të dyja palëve për t’i zbatuar të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, e ku bën pjesë edhe ajo për Asociacionin.

Trending