
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për shkelje të propozimit evropian për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Kurti tha se deklaratat e Vuçiqit, të bëra më 28 shkurt se Serbia nuk do të pranojë që Kosova të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara, përbëjnë shkelje të nenit 4 të propozimit evropian, që palët e pranuan gjatë rundit të dialogut të mbajtur të hënën.Mbrëmë, presidenti i Serbisë u zotua se do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara. Kjo do përbënte shkelje të qartë të nenit 4 të propozimit të Bashkimit Evropian. Normalizimi i marrëdhënieve është i mundur vetëm nëse të dyja palët negociojnë në mirëbesim. Serbia duket se ka zgjedhur të mos e bëjë këtë”, shkroi Kurti në Twitter.
Propozimi evropian për normalizim të raporteve përbëhet nga 11 nene. Në nenin 4, të cilit i referohet Kurti, thuhet se “Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”. Vuçiç deklaroi të martën mbrëma, se përveç kundërshtimit të anëtarësimit në OKB, Serbia nuk do të pranojë pavarësinë e Kosovës.
“…unë nuk dua dhe nuk mund të bisedoj për njohjen reciproke, njohjen dhe anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara”, deklaroi Vuçiç për televizionin publik serb, RTS më 28 shkurt.


You must be logged in to post a comment.