
Në Kosovë, ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës tha të hënën mbrëma se në territorin e Serbisë, në afërsi të vendkalimeve në Jarinjë dhe në Merdar, nuk është i mundur kalimi i autobusëve dhe kamionëve që hyjnë nga Kosova për shkak të protestave që po mbahen, në afërsi të tyre. Nuk është i sigurt as kalimi i makinave të udhëtarëve, tha në një njoftim kjo ministri duke u bërë thirrje atyre që janë në rrugë të përdorin vendkalimet tjera kufitare.
“Nëse nuk keni hyrë tashmë në Serbi, ju lutemi, mos udhëtoni përmes Serbisë”, thuhet në njoftim.
Mediat serbe thanë se rrugët janë bllokuar nga vozitës të kamionëve me mallra serbe, si shenjë revolte ndaj vendimit të autoriteteve të Kosovës për të mos lejuar hyrjen e kamionëve me targa dhe mallra serbe në territorin e Kosovës, që nga 14 qershori, kur tre pjesëtarë të policisë së Kosovës u arrestuan nga forcat serbe dhe po mbahen në qytetin e Kralevës në Serbi, në një incident që shtoi tensionet edhe ashtu të larta ndërmjet dy vendeve.
Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe Gjermania i kanë bërë thirrje Serbisë të lirojë menjëherë policët e Kosovës. Por deri tani Beogradi nuk ka dhënë shenja se është i gatshëm ta bëjë këtë.NATO-ja vendosi trupa shtesë në Kosovë pas tensioneve që shpërthyen që më 26 maj në veri të Kosovës ku grupe protestuesish serbë dolën në rrugë duke kundërshtuar vendosjen në zyra komunale të kryetarëve shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, që u bojkotuan nga partitë politike serbe./voa


You must be logged in to post a comment.