Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, do të qëndrojnë në Bruksel për të diskutuar rrugët e tejkalimit të krizës në veri të Kosovës, me ftesë të shefit të politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Na duhet shtensionim i menjëhershëm i situatës dhe zgjedhje të reja në veri me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës. Këto janë parësore për rajonin dhe Bashkimin Evropian”, shkroi zoti Borrell.Kryeministri Kurti shkroi para se të nisej për në Vatikan ku sot takohet me Papa Françeksun, se do të shkojë në Bruksel dhe do të “ngulë këmbë për lirimin e menjëhershëm dhe të pakusht të tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës që po mbahen peng nga Serbia, për shtensionimion dhe normalizimin e marrëdhënieve”.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha të enjten se do të takohet me zotin Borrell por jo edhe me kryeministri Kurti.

Biseda me të nuk ka kuptim. Ai na mban leksione për filozofinë, pak për (Adem) Demaçin, pak për (Karl) Marksin”, tha presidenti serb.

Ftesa për takim pasoi arrestimin e tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës nga forcat serbe me 14 qershor, në një incidente që shtoi tensionet edhe ashtu të larta ndërmjet të dyja vendeve. Kosova akuzon Serbinë për siç thuhet “rrëmbim të policëve” brenda territorit të saj, ndërsa Beogradi thotë se ata u kapën brenda territorit serb.

Shtetet e Bashkuara dhe një pjesë e vendeve euro-perëndimore kanë kërkuar lirimin e pakusht të tyre dhe hedhjen e hapave për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës, kur për gati një muaj grupe qytetarësh serbë po protestojnë duke kundërshtuar vendosjen në zyra komunale të kryetarëve shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit, që u bojkotuan nga partitë politike serbe.

Diplomatët perëndimorë kërkojnë largimin e kryetarëve shqiptarë nga zyrat e komunave, të njësive të posaçme të policisë nga ndërtesat komunale dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri.

Kryeministri Kurti është shprehur në favor të zgjedhjeve të reja por duke ngulur këmbë që kjo të ndodhë pas vendosjes së sundimit të ligjit. Beogradi kërkon largimin ne forcave të policisë dhe kryetarëve shqiptarë si dhe lirimin e serbëve të arrestuar në lidhje me dhunën që përshkoi protestat në veri.

Trending