Si mund të shpëtoni nga rrymat nënujore në bregdet?

Çdo vit humbin jetën rreth 40 000 pushues në botë, si pasojë e rrymave të ujit në bregdet. Ato krijohen çdo kund, në çdo plazh dhe nuk shihen me sy. Shkaktare janë erërat që fryjnë në drejtim të bregut të detit, relievi i ndryshuar i rërës nën sipërfaqen e ujit, apo shkëmbinjtë përreth, ku kthehen valët. Rrymat e tilla janë të njohura me emrin “Rip Currents” në anglisht. Në bregdetin shqiptar këtë vit kanë humbur jetën një varg qytetarësh në mungesë të njohurive, naivitetit apo mbivlerësimit të forcës së tyre personale. Kësaj i duhet shtuar sigurisht edhe kujdesi i pamjaftueshëm në bregdet për sigurinë e pushuesve.
Rip Currents, apo Rrymat e ujit RIP, janë rryma shumë të rrezikshme. Ato krijohen shpejt, në ujëra të cekëta, krejt papritur dhe nuk mund të njihen me sy. Megjithatë, në 80% të rasteve, të goditurit nga këto rryma mund të shpëtojnë. Dhimbja për pushuesit e panjohur më shtyu të kërkoj në internet dhe të mësoj nga përvojat e deritanishme se si mund të shpëtojë i godituri në raste të tilla.

Rregullat kryesore janë si vijon:

  • Ruani qetësinë.
  • Mos provoni të notoni në anën e kundërt të rrymës së ujit.

Në rast se përfshiheni nga rryma e ujit është më mirë të lejoni që rryma e ujit t’ju bartë në det të hapur. Shpejtësia e saj është 2 deri në 3 metra në sekondë. Mos provoni të notoni në drejtim të kundërt, sepse këtë nuk e arrijnë dot as notuesit më të mirë në botë. Kur rryma e ujit t’ju ketë çuar në det të hapur dhe ta ketë humbur fuqinë apo të ketë pushuar fare, filloni të notoni anash rrymës në drejtim të bregut të detit. Mos kini frikë, ajo nuk do t’ju bartë shumë larg. Nëse nuk mundeni të notoni deri në breg të detit, kthehuni me trup nga ana e bregut, ngrini dorën lart dhe thërrisni për ndihmë.
Dr. Besnik Ibishi

Trending