
Sot, në datën 28 Shtator 2023 ndërroi jetë Atë Artur Liolin, kancelar i Kryepeshkopatës Shqiptare të Kishës Ortodokse, pasuesi i denjë i Fan Nolit dhe një figurë e shquar e kishës Ortodokse shqiptare dhe e komunitetit shqiptar në Amerikë.
Artur Evans Liolin lindi më 19 qershor 1943 në New York, nga prindër shqiptarë me prejardhje nga Boboshtica e Korçës. Në vitin 1967 mbaroi studimet për Histori Arti (Mesjeta dhe Bizanti) në Universitetin “Princeton”. Në vitin 1970 u dorëzua prift në Boston dhe i shërbeu komunitetit shqiptar në kryekishën e Shën Gjergjit.
Në vitin 1975 u emërua Kancelar i Kryedioqezës Shqiptare të Kishës Orthodhokse në Amerikë, të cilës i shërbeu derisa ndërroi jetë. Ai ka organizuar Bibliotekën e Fan Nolit pranë Katedrales së Shën Gjergjit në Boston. Prandaj, ai vlerësohej si një pasardhës i denjë i Fan Nolit, themeluesit të Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare, ku Liolin ishte kancelar. Ai ishte shqiptari që mbajti gjallë jo vetëm frymën e kishës Ortodokse shqiptare në Boston, por edhe të çështjes kombëtare shqiptare, veçanërisht atë të Kosovës.
Gjithashtu, ai ka bërë studime në Institutin “Albert Schveitzer” në Zvicër në programin: “Kriza në Qytetërimin Perëndimor,” ku përfshihen një sërë hulumtimesh ekonomike, kulturore, historike dhe filozofike.
Atë Arthur Liolin ka shkruar mjaft artikuj rreth çështjes shqiptare në gazetën “Dielli,” dhe më tej nëpër revista te ndryshme si “Liria”, Illyria”, “Koha Jonë” etj. Në vitin 1991 Atë Liolin bëri udhëtimin më të famshëm të jetës së tij, ku meshoi në 22 qytete të Shqipërisë.
Shoqata Mbarëshqiptare Social Kulturore “Bijtë e Shqipes” në Filadelfia i shpreh ngushëllime te sinqerta familjes, kishës ku shërbente dhe gjithë komunitetit shqiptar në Amerikë.
I përjetshëm qoftë kujtimi dhe vepra e tij për komunitetin shqiptar dhe çështjen kombëtare.
Kryetari i shoqatës “Bijtë e Shqipes”
Dritan Matraku


You must be logged in to post a comment.