Ne diten e deshmoreve gjeta nje material historik per luften e paepur te partizaneve tane heroike per clirimin e vendit. Ne kete shkrim gjeta emrin e dajes sim te ndjere,partizan i ketyre formacioneve luftarake ne rrethin e beratit.Shkolla tete vjecare ne fshatin Pobrat mban emrat e tre deshmoreve te ketij fshati.

LAVDI TE PERJETESHME KETYRE HERONJEVE

vijon shkrimi historik

Me orientim të Komitetit Qarkor të Partisë Komuniste për Qarkun e Beratit, me 5 Shtator të vitit 1943, në fshatin Poshnje, qendër e zonës së Mesit të Urave në Bashkinë Dimal,u krijua Batalioni Partizan i Mesit të Urave. Në saje të punës përgatitore nga të deleguarit e Komitetit Qarkor Ali Shehu e Josif Aleksi, në të 15 fshatrat që përbëjnë zonën e këtij batalioni i u përgjigjën thirrjes dhe u rreshtuan 80 të rinj partizanë të ardhur nga fshatrat Poshnje, Syzes, Vokopole, Skrevan, Ciflik, Arrëz, Pashalli, Konizbaltë, Guri i Bardhe, Kuç, Sheq, Gajdë, Malas e Banaj. Komandant i batalionit u caktua Muhamer Janina, ushtarak i arsimuar në Itali dhe komisar Bardhyl Frashëri.

Menjëherë pas organizimit, po atë ditë në mbrëmje batalioni filloi të parin aksion luftarak kundër forcave italiane të dislokuar në vendin e quajtur Gropa e Ujkut. Mbas 5 orësh e luftime të ashpra armiku përsoi humbje të konsiderueshme dhe u tërhoq. Më 10 Shtator forcat e batalionit, në bashkëpunim me Çetën Partizane të Pobratit dhe Batalionin “Tofik Lapani” të zonës së Roskovecit zhvilluan një nga betejat më të ashpra kundër forcave gjermane në Qafën e Sqepurit. Në këtë betejë me forcat gjermane, të dislokuara në fushën e aviacionit në Kuçovë dhe që nisën të lëviznin në drejtim të Fierit për zotrim të rrugës nacionale, u ndeshën me forcat partizane. Në këtë betejë, jo të barabartë e në pikëpamje të forcave përballë, ra në krye të detyrës Xhemil Zyberi, partizan i Çetës Partizane të Pobratit dhe u plagos Loli Bendi nga Lagjia Vojvodë e fshatit Pobrat. Beteja me gjermanët, e para në Qarkun e Beratit, rriti fort optimizmin dhe besimin e popullit tek partizanët. Pas kësaj, shumë të rinj u rreshtuan në radhët partizane.

Luftë të ashpër zhvilloi batalioni më 10 Tetor 1943 kundër një autokolone gjermane që levizte në drejtim të Lushnjes, nga Kuçova tek Ura e Kuçit. Edhe pse te armatosur rëndë, gjermanët u përballën me partizanët që kishin zënë pozicione të favorshme, falë terrenit. Forcat gjermane u sulmuan në befasi dhe me shumë ashpërsi. Pas 4 orë luftimesh armiku u detyrua të kthehej mbrapsh, duke lënë në duart e partizanëve 6 makina me municione dhe 3 oficerë madhorë të kapur rob. Komanda e Lartë Gjermane, e alarmuar nga thyerja e forcave të saj, kapja e makinave me shoferët dhe e tre oficerëve gjermanë, urdhëroi bllokimin e kalimit të popullatës në Urën e Hasan Beut në Urën Vajgurore. Mbi 300 burra i arrestuan, shumica kalimtarë të zonave të ndryshme që ktheheshin nga qyteti i Beratit pasi ishte ditë pazari. Ultimatum i Komandës Gjermane për lirimin e tyre, me kusht kthimin e tre oficerëve gjermanë të kapur rob, u zgjidh nga Komanda Partizane në Berat. Një tjetër betejë luftarake batalioni zhvilloi më 5 Dhjetor 1943 me forcat gjermane në Polizhan, fshat buzë rrugës nacionale Berat-Lushnje. Në këtë betejë ra heroikisht zëvendës komisari i batalionit Josif Aleksi.

Në të gjitha luftimet qe ka zhvilluar Batalioni Partizan i Mesit të Urave, një ndihmesë të madhe kanë dhënë fshatarët e fshatrave të Mesit të Urave. Me krijimin e Brigadës së 7-të Sulmuese në 27 mars 1944 në Vlush të Skraparit, Batalioni i Mesit të Urave u përfshi në këtë brigadë, duke vazhduar rrugën luftarake me të njëjtin heroizëm, deri në çlirimin e plotë të vendit.

Mihal Bardhi

Trending