Shfaqja e Eric Adams si ikonë e Samitit të Diasporës nxjerr në pah paradoksin e Ramës, që flet për luftë kundër korrupsionit ndërsa promovon një figurë të njollosur nga akuza të këtij lloji

Ikona e Samitit të Diasporës që organizoi qeveria këtë javë ka qenë pa dyshim Eric Adams, ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut që mori nënshtetësinë shqiptare dhe u promovua me entuziasëm nga kryeministri Rama si shenjë e afrimit të Shqipërisë me një prej qyteteve më të rëndësishme në botë.

“Bota përmbys,-shkruajti Rama në rrjetet sociale,- Të ngrejë dorën kush e kishte imagjinuar ndonjëherë që kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut do të kërkonte pasaportën shqiptare për t’u bërë edhe qytetar i Shqipërisë(?) Askush. Si? Pse?”.

Sipas kryeministrit, kur Adams erdhi në Shqipëri, i pëlqeu aq shumë Tirana saqë pyeti veten nëse mund të bëhej qytetar i këtij “Nju Jorku të vogël”, që kurrë nuk e kishte imagjinuar se do të ishte kaq tërheqës.

Ky gëzim i mirëseardhjes për ish-kryebashkiakun amerikan u pa edhe në skenën e samitit, kur Rama e dorëzoi personalisht pasaportën e re dhe shkëmbeu dhe batuta me Adams në skenë.

“Kjo është ID jote, kjo është pasaporta jote shqiptare. Shpejt do të mësojmë edhe shqip. I dashur Erik mirë se erdhët në Shqipëri” i tha kryeministri duke qeshur.

“Kur ecja në rrugët e qytetit në funksionet e mia publike e shikoja shpirtin e diasporës shqiptare. Një pjesë e juaj mund të jenë larguar nga Shqipëria, por ju kurrë nuk e larguat vendin tuaj nga zemrat tuaja” iu përgjigj me kortezi Adams.

Në fakt, në ditët kur ishte ende në detyrë Adams ka provokuar një përplasje me partinë e tij për shkak të menyrës se si i shihte emigrantët që kërkonin të ndërtonin një jetë të re në Nju Jork. Katër nënkryetarë bashkie, demokratë në bindje, dhanë dorëheqjen për qasjen e tij ndaj emigrantëve raportojë mediat amerikane.

Por përtej politikave të Adams ndaj emigracionit, qeverisja e tij nuk është shembulli më i mirë i menaxhimit të fondeve publike në administratën amerikane, për shkak të aferave të korrupsionit për të cilat është akuzuar.

Jo më kot, në fund të mandatit, njujorkezët e refuzuan me damkën e korrupsionit mbi shpinë për shkak të skandaleve dhe akuzave, që në fund e detyruan të tërhiqej nga fushata, i pashpresë përballë kandidatit Zoran Mamdani.

Është tashmë i njohur flirti i ish-kryebashkiakut demokrat të Nju Jorkut, Eric Adams me administratën e re të Donald Trump për t’i shpëtuar proceseve penale që hapi drejtësia amerikane.

Adams u bë kryebashkiaku i parë në detyrë në historinë moderne të Nju Jorkut që përballej me akuza penale, sipas të cilave kishte abuzuar me postin për të siguruar udhëtime falas ose me fatura favorizuese dhe kontribute të paligjshme të huaja për fushatën e tij.

Prokurorët federalë në Southern District të Nju Jorkut, atëherë të drejtuar nga Damian ëilliams, i formuluan akuzat për Adams në pesë pika: komplot, mashtrim elektronik, kërkim kontributesh të paligjshme nga shtetas të huaj dhe ryshfet.Aktakuza ishte e para ndaj një kryebashkiaku në detyrë në historinë moderne të Nju Jorkut.

Adams u deklarua i pafajshëm dhe tha se nuk kishte bërë asgjë të paligjshme. Ai pretendoi se çështja ishte ngritur sepse, si kryebashkiak, kishte kritikuar administratën Biden për mënyrën si po e menaxhonte krizën e emigrantëve.

Në 57 faqe, aktakuza përshkruante një skemë që prokurorët thanë se datonte që nga viti 2014, kur Adams u bë president i Brooklyn Borough. Ata e akuzonin se po kërkonte favore nga zyrtarë turq dhe biznesmenë të huaj të pasur, ndërsa pranonte të paktën 123 mijë dollarë në përmirësime fluturimesh dhe bileta avioni.

Sipas aktakuzës, Adams udhëtoi drejt Francës, Kinës, Sri Lankës dhe vendeve të tjera me Turkish Airlines, kompani e kontrolluar nga qeveria turke, pa i deklaruar këto përfitime si dhurata në formularët e qytetit. Ai akuzohej se kishte vazhduar këtë skemë edhe pasi mori detyrën si kryebashkiak në vitin 2022.

Në këmbim, thanë prokurorët, Adams i kishte bërë presion Departamentit të Zjarrfikësve të Nju Jorkut që të përshpejtonte miratimin për një konsullatë të re 36-katëshe turke në Midtoën Manhattan, pavarësisht shqetësimeve për sigurinë, përpara një vizite të presidentit turk në fund të vitit 2021. Adams tha se në atë episod kishte tentuar vetëm të ndihmonte një qytetar që i ishte drejtuar, çka ishte baza e akuzës federale për ryshfet.

Po ashtu, përmes “donatorëve fiktivë”, Adams u akuzua se mori kontribute nga biznesmenë të huaj të pasur që nuk kishin të drejtë ligjore të financonin fushatën e tij. Duke kërkuar këto donacione të paligjshme, prokurorët thanë se Adams kishte marrë në mënyrë mashtruese miliona dollarë fonde publike të barazimit për fushatën e tij.

Ndërkohë që Adams ishte kryebashkiak dolën edhe akuza të tjera nga ish-kolegë të tij në Departamentin e Policisë. Fillimisht, katër ish-oficerë të nivelit të lartë e paditën, duke e akuzuar se kishte mundësuar korrupsion në departament. Oficerët përfshinin veteranë të respektuar që kishin drejtuar njësi si Çështjet e Brendshme dhe Standardet Profesionale, dhe padia e tyre e përshkruante departamentin si të qeverisur nga kaosi dhe klientelizmi.

Zëdhënësja e Adams atëherë i quajti pretendimet e Donlon “akuza të pabaza nga një ish-punonjës i pakënaqur” dhe tha se padia e tij “nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje për të marrë dëmshpërblim në kurriz të taksapaguesve pasi Donlon u largua me të drejtë nga posti i komisionerit të përkohshëm”.

Kryeministri Rama, aktualisht është në një tur takimesh kudo në Shqipëri ku flet për rënien e nivelit të korrupsionit, por ndërkohë nuk e sheh të dëmshme promovimin e një figure si Eric Adams që e ka mbyllur karrierën politike, pikërisht për aferat e dyshuara për korrupsion.

Ky nuk do të ishte rasti i parë. Më herët Rama ka flirtuar me zyrtarë të huaj të përfshirë në afera korruptive, mjafton të kujtojmë bashkëpunimin me ish-shefen e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Federica Mogherini për dosjen e Kolegjit të Evropës, apo takimet në kryeministri me Charles McGonigal, ish-kreu i zyrës së kundërzbulimit të FBI në Nju Jork.

Por rasti i Eric Adams ka një ndryshim thelbësor. Ndërsa Mogherini dhe McGonigal e vizitonin Tiranën si dy zyrtarë ende të papërfolur për lakminë e tyre ndaj parasë, Adams mban mbi supe një dosje publike të bëmave të tij.

Ndaj me përpjekjet propagandistike për të treguar se Shqipëria po afrohet me perëndimin, Rama ka dhënë një provë se është i aftë të tërheqë vetëm atë sërë zyrtarësh që perëndimi i flak tej si të papranueshëm për reputacionin e tyre. Dhe reputacionin si i korruptuar nuk ka pasaportë që ta shpëlan./Lapsi.al

Leave a comment

Trending