Mijëra studentë shqiptarë mbushën rrugët e Shkupit në kërkim të së drejtës së tyre të mohuar për mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, përmes një organizimi që u mbështet nga studentë të tjerë të qyteteve të Maqedonisë së Veriut, të Shqipërisë dhe të Kosovës. Në kufi, autoritetet maqedonase e vështirësuan kalimin e studentëve shqiptarë nga Shqipëria dhe Kosova, e pavarësisht këtyre ata arritën t’i bashkohen të rinjve në një tubim që duket se e ka dhënë mesazhin për forcat politike në qeverinë e Maqedonisë.

Marshimi u zhvillua paqësisht por nën një klimë tensioni. Një moment gjatë lëvizjes, një grup tentoi ta udhëhiqte marshimin e studentëve me parrullën e UÇK, por u largua nga vetë protestuesit.

Duhet kujtuar se dy ditë më parë qarkulloi një video paralajmëruese e forcave speciale maqedonase e filmuar në Lagjen e Trimave në Kumanovë, kur efektivë të irrituar bërtisnin në kor “Këtu ka vetëm Maqedoni”.

Pas protestës, tre studentë shqiptarë u shoqëruan përdhunshëm nga forcat policore për arsye që mbeten ende të paqarta. Arrestimet ndodhën kur tubimi kishte mbaruar dhe studentët po shpërndaheshin paqësisht.

Ashtu siç pritej kryefjalë e mijëra të rinjve në rrugët e Shkupit ishin të drejtat e mohuara të shqiptarëve, shkeljet e marrëveshjes për përdorimin e gjuhës shqipe dhe kundërshtimi i diskriminimit në tërësi të shqiptarëve.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama njoftoi se ka udhëtuar larg drejt Koresë së Jugut me bashkëshorten e tij, Lindën për takime me homologun e Koresë së Jugut. I entuziasmuar, Rama njoftoi se do të takojë edhe CEO-n e Samsung-ut.

Protestës i kanë shprehur mbështetje liderë të shumtë politikë nga Kosova, me përjashtim të Albin Kurtit. Në radhët e politkanëve të Kosovës që kanë reaguar ishin kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, kreu i PDK-së, Bedri Hamza, Fatmir Limaj, Vjosa Osmani etj. Në mesazhin e tij, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, e quajti heshtjen ndaj diskriminimit bashkëfajësi dhe bëri thirrje për unitet mbarëshqiptar.

“Heshtja përballë diskriminimit është bashkëfajësi. Prandaj, sot është koha që të gjithë shqiptarët, pa dallim partie, ideologjie apo vendbanimi, të qëndrojnë krah studentëve”, tha Rama

Trending