Nga Artan Nati

Fieri, në një farë mënyre, ngjan me Amerikën. Jo nga qiellgërvishtësit, as nga Wall Street dhe as nga Hollywoodi, por nga mënyra sesi u krijua: një tokë ku erdhën njerëz të ndryshëm, me zakone të ndryshme, me paragjykime ndaj njëri-tjetrit dhe me bindjen absolute se pikërisht ata ishin “raca superiore” e qytetit.
Në fillim ishin myzeqarët, autoktonët e fushës, njerëz të heshtur, që sipas legjendës popullore “nuk kuptohen kur thonë po dhe kur thonë jo”. Ata jetonin me ritmin e dheut dhe të bagëtive, me filozofinë e famshme: “Sa mban dhalla, mban edhe lala.” Një mënyrë jetese ku koha nuk matej me orë, por me shiun, baltën dhe bereqetin. Pak a shumë si vendasit e Amerikës, që jetonin në paqe me natyrën, derisa mbi horizont u shfaqën “kolonët” e parë. Dhe kolonët e Fierit ishin voskopojarët. Çobanë, tregtarë, zejtarë, njerëz që sollën kulturën e qytetit, dyqanet, zanatet dhe krenarinë karakteristike ballkanike. Ata mund të gabojnë, mund të kenë humbur rrugën, mund të kenë futur edhe kripën në kafe, por një gjë është e sigurt: nuk e pranojnë kurrë gabimin. Kokëfortësia voskopojare është ndoshta institucioni më i vjetër jozyrtar i Fierit. Ata sollën qytetarinë, por bashkë me të edhe bindjen se pa ta, pjesa tjetër e qytetit ende do të merrej me lopët dhe baltën.
Pastaj hynë mallakastriotët, energjia vullkanike e jugut industrial. Ata erdhën me karakter të fortë, me zë të lartë dhe me atë traditën legjendare të “letrave anonime”, sport kombëtar shqiptar shumë kohë para rrjeteve sociale. Mallakastrioti mund të të përqafojë ditën dhe të të denoncojë natën, jo nga ligësia, por sepse e konsideron vigjilencën morale pjesë të qytetarisë aktive. Ata i dhanë Fierit nervin, konfliktin, debatet e pafundme dhe ndoshta edhe aftësinë shqiptare për ta kthyer çdo mbledhje lagjeje në mini-parlament ballkanik.
Më tej erdhën çamët, njerëz të lëvizjes, tregtisë dhe mbijetesës. Shqiptari ka pasur gjithmonë paragjykime për tjetrin dhe Fieri nuk bën përjashtim: dikush i quante “me thikë në brez”, të tjerë “tepër të zgjuar për t’u besuar”. Por historia e qyteteve nuk ndërtohet nga engjëj, por ndërtohet nga njerëz që dinë të mbijetojnë. Çamët sollën instinktin tregtar dhe aftësinë për të filluar nga hiçi.
Gjithashtu kosovarët, burrat e fortë të veriut, me temperamentin e ashpër dhe me atë lloj force që të jep përshtypjen se edhe debatet familjare i zgjidhin si mbledhje fisi. Për disa fierakë ata ishin “shumë të dhunshëm”; për të tjerë ishin simboli i krenarisë dhe qëndresës. Por si në Amerikë, edhe këtu emigranti i djeshëm shpesh bëhet shtylla e ekonomisë së nesërme.
Dhe kështu Fieri u bë një Amerikë e vogël shqiptare pra një përzierje njerëzish që fillimisht tallnin njëri-tjetrin, pastaj ziheshin me njëri-tjetrin dhe në fund martoheshin me njëri-tjetrin. Një qytet ku çdo krahinë solli stereotipet, veset, virtytet dhe krenarinë e saj, por ku në fund të gjithë përfunduan duke ndarë të njëjtën baltë, të njëjtin pazar dhe të njëjtin stres ekonomik.
Ashtu si Amerika kishte anglezët “qytetërues”, gjermanët punëtorë, hebrenjtë tregtarë, italianët temperamentë dhe emigrantët e Lindjes së Mesme që sollën energji të re, edhe Fieri ndërtoi identitetin e vet nga përplasja dhe bashkëjetesa. Sepse qytetet e gjalla nuk krijohen nga pastërtia etnike apo krenaria provinciale. Ato krijohen nga përzierja.
Në fund, ndoshta problemi ynë si shqiptarë është se harxhojmë më shumë energji duke numëruar se kush erdhi i pari, sesa duke pyetur se çfarë qyteti duam të ndërtojmë bashkë. Dhe pikërisht aty tingëllon aktual ai mendim i madh i Kadaresë: njerëzit nuk duhet të ngrenë mure, por ura. Sepse Fieri, si Amerika, nuk është histori e një fisi të vetëm. Është histori e njerëzve që erdhën të ndryshëm dhe, mes sherreve, paragjykimeve dhe humorit therës shqiptar, përfunduan duke krijuar një identitet të përbashkët.


Leave a comment