
Vizita e Berishës në SHBA dhe fundi i një anomalie
————-
Vizita e Sali Berishës në Shtetet e Bashkuara përmbyll një nga kapitujt më të errët dhe më dëmtues në historinë e Partisë Demokratike, konfliktin e PD-së me SHBA-në.
Ky nuk ishte thjesht konflikt i disa liderëve.
Ishte një anomali politike e importuar brenda një partie historikisht proamerikane, e cila i detyroi demokratët të zgjidhnin mes dy elementeve që deri atëherë kishin bashkëjetuar natyrshëm, respektit për liderin historik dhe marrëdhënies strategjike me Shtetet e Bashkuara.
Në këtë kuptim, konflikti ishte pothuajse një strategji perfekte për ta dëmtuar opozitën — dhe pikërisht për këtë, perverse.
Të dy kampet kishin argumentin e tyre, por duke luftuar njëri-tjetrin konsumuan vetë PD.
Figura me histori dhe kontribute politike u përplasën dhe u asgjësuan reciprokisht, energjia opozitare u zhvendos nga përballja me qeverinë te lufta e brendshme, ndërsa fuqia elektorale e partisë u dobësua.
Në boshllëkun e krijuar nga ky konflikt depërtuan edhe realitete që PD e panë më shumë si instrument karriere sesa si histori, bindje dhe kontribut. Lufta e kampeve deformoi meritën, hierarkinë dhe mekanizmin e përzgjedhjes së lidershipit.
Për pasojat që prodhoi, mënyra se si u krijua dhe u administrua ky konflikt mund të konsiderohet një nga gabimet më të rënda të diplomacisë amerikane në Ballkanin Perëndimor pas viteve ’90.
Në vend që demokracia shqiptare të forcohej, opozita kryesore u dobësua dhe u përça për vite.
Dhe pasoja më e rëndë nuk është vetëm gjendja e PD .
Dobësimi i opozitës i la më shumë hapësirë një mazhorance të akuzuar rëndë për korrupsion, kapje institucionesh dhe lidhje të segmenteve të pushtetit me krimin e organizuar.
Prandaj vizita e Berishës në SHBA ka një kuptim shumë më të madh se rikthimi personal i një lideri.
Ajo shënon normalizimin përfundimtar të marrëdhënies mes PD dhe Shteteve të Bashkuara dhe mbylljen e një anomalie që nuk duhej të kishte ekzistuar kurrë.
Vizita e Berishës në SHBA mbyll konfliktin me Amerikën.
Sfida tani është që PD të shërojë konfliktin me vetveten.
Sepse nga ajo luftë nuk fitoi asnjë demokrat, humbi opozita dhe fitoi pushteti.
Kreshnik Collaku


Leave a comment