Pas dhunës në Zvërnec, reagimeve publike dhe debatit për pronësinë, transparencën dhe rrethimin e zonës, kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të zhvendosë sërish vëmendjen nga thelbi i çështjes.

Në një reagim në rrjetet sociale, Rama e paraqet kundërshtimin ndaj projektit në Zvërnec si një mobilizim të paprecedentë kundër zhvillimit të Shqipërisë, duke lënë të kuptohet se pas protestave dhe zhurmës publike qëndron edhe një interes grek për të penguar projektin.

Sipas Ramës, për herë të parë në 35 vite, Shqipëria po synon të ngjitet në “Olimpin e turizmit” përmes një investimi prej 4 miliardë eurosh nga partnerë amerikanë dhe nga Katari. Në vend që të ndalet te shqetësimet e banorëve, te pretendimet e pronësisë, te zona e mbrojtur apo te dhuna e ushtruar ndaj protestuesit nga rojet private, Rama e vendos theksin te reagimi i mediave greke dhe te mbështetja që, sipas tij, ato po u japin kundërshtarëve të projektit.

“35 VJET S’E KAM PARË KURRË KËTË MOBILIZIM”, shkruan Rama.

Më pas, kryeministri e përshkruan projektin si një mundësi historike për turizmin shqiptar dhe sulmon ata që po e kundërshtojnë.

“Eh vëllai im, po normal, sepse për herë të parë në 35 vite Shqipëria po synon Olimpin e turizmit me një projekt marramendës, që nuk e ka askush në këtë anë të botës

E tani që projektit po i afrohet dita e daljes në dritë, dolën shqiponjat të mbrojnë atdheun nga 4 miliardë Eurot investim të partnerëve amerikanë e katariotë”, shkruan Rama.

Në vijim, Rama përpiqet ta lidhë kundërshtimin ndaj projektit me vëmendjen që ngjarja ka marrë në Greqi. Për kryeministrin, fakti që mediat greke po raportojnë për Zvërnecin dhe incidentin me protestuesit është pjesë e një panorame ku projekti paraqitet si objekt sulmi nga jashtë.

“Dhe për herë të parë në 35 vjet, mediat greke dhe faqet me miliona ndjekës në Greqi, janë me shqiponjat për të shpëtuar atdheun tonë nga ardhja e hoteleve më prestigjiozë të botës, nga 10 mijë vende pune cilësore, nga rritja e prodhimit të përgjithshëm kombëtar me 4% deri në 2030, rritja e të ardhurave për frymë, rritja e pagave e pensioneve (si në Malin e Zi  për shembull largqoftë), nga rritja e vlerës së pronës së çdo vlonjati e jo vetëm, nga zgjerimi i zinxhirit të vlerës për bujqit, peshkatarët, shoferët e me radhë të gjithë subjektet e lidhura me atë zinxhir, nga personazhet botërore të artit, sportit, modës, biznesit, që do vinin e do flinin, disa edhe do blinin edhe shtëpi në Vlorë…”, vijon Rama.

Me këtë reagim, Rama kërkon ta kthejë debatin në një përplasje mes atyre që, sipas tij, duan zhvillimin e Shqipërisë dhe atyre që duan ta mbajnë vendin në imazhin e vjetër të “mafies, korrupsionit dhe llumit”.

“Po lëri këto, po pse pak është shpëtimi i Shqipërisë nga rritja e mëtejshme e imazhit ndërkombëtar, e cila edhe kaq edhe u teprua shumë, se në sytë e botës Shqipëria duhet të jetë mafie, korrupsion, llum”, shkruan ai.

Në fund, Rama e mbyll reagimin me ironi ndaj protestuesve dhe mediave greke, duke i paraqitur ato si pjesë të së njëjtës lëvizje kundër projektit.

“Prandaj të gjithë shqiponjat në protestë sot, se mbulimin nga media greke e keni të garantuar, dy zogj me një gur dmth”, shkruan kryeministri.

Por pavarësisht përpjekjes së Ramës për ta zhvendosur vëmendjen te Greqia dhe te mediat greke, debati për Zvërnecin ka nisur nga çështje konkrete brenda Shqipërisë: rrethimi i zonës, pretendimet e banorëve për pronësinë, mungesa e transparencës për investitorët, përfshirja e emrave të huaj me peshë politike dhe dhuna ndaj një protestuesi nga rojet private, ndërsa policia qëndroi pasive.

Pikërisht këto pamje sollën reagime të forta publike dhe detyruan institucionet të ndërhynin, duke çuar në arrestimin e rojeve private, revokimin e licencës së kompanisë së sigurisë dhe shkarkimin e drejtuesit të policisë së Vlorës.

Tani, me reagimin e fundit, Rama po përpiqet ta paraqesë kundërshtimin ndaj projektit jo si shqetësim qytetar për mjedisin, pronën, ligjin dhe transparencën, por si një mobilizim i frymëzuar nga jashtë kundër një investimi “marramendës” që, sipas tij, do ta ngjisë Shqipërinë në majën e turizmit botëror. /Lapsi.al 

Leave a comment

Trending