
Ish-futbollisti i Kombëtares shqiptare, Igli Tare, është marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) për veprën penale të pastrimit të parave.
Tare u paraqit paraditen e së enjtes në ambientet e SPAK, ku iu komunikua akuza nga prokurori Dritan Prençi, i cili po drejton gjithashtu hetimet që lidhen me ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku. Deri më tani, Prokuroria e Posaçme nuk ka dalë me një reagim apo njoftim zyrtar për çështjen.
Në kuadër të të njëjtit hetim, disa ditë më parë u mor në pyetje edhe vëllai i tij, Agron Tare, me cilësinë e personit që ka dijeni për rrethanat e procedimit. Agron Tare ka mbajtur më herët poste të rëndësishme publike, mes tyre atë të drejtorit ekzekutiv të Autoritetit Portual të Durrësit dhe zëvendësministrit të Punëve të Jashtme.
Emri i Igli Tares është përfshirë në hetimet që SPAK ka zhvilluar ndaj Belinda Ballukut, veçanërisht në aspektin e verifikimeve pasurore. Burime pranë hetimit bëjnë me dije se ai është konsideruar një person me interes për zbardhjen e disa rrethanave të dosjes.
Tare, i cili prej vitesh jeton në Itali dhe ka pasur role drejtuese në futbollin italian, ishte thirrur më herët për t’u marrë në pyetje, por nuk ishte paraqitur për shkak të qëndrimit jashtë vendit.
Ndërkohë, hetimet e SPAK vijojnë, ndërsa deri tani as institucioni i akuzës dhe as Igli Tare nuk kanë bërë deklarata publike lidhur me zhvillimet e fundit të çështjes.
Nga ana tjetër, Belinda Balluku është marrë e pandehur për shkelje të barazisë në tendera në lidhje me procedurat për ndërtimin e tunelit të Llogarasë, ndërsa ndaj saj po zhvillohen edhe hetime të tjera që lidhen me projekte infrastrukturore dhe verifikimin e pasurisë.



Leave a comment