Nga Endri Curri

EMPATIA nuk fiton
mbi KORRUPSIONIN

Fjalimi i Edi Ramës sot ishte nga më të dobëtit e më të pafuqishmit që ka patur në jetën e tij politike.Nuk e kam parë kurrë kaq të zbehtë, fizikisht dhe moralisht. Dukej si një Hamlet i trishtuar nga padrejtësitë e kohës! Një fjalim në pamje të parë reflektiv por që në thelb ishte një përpjekje e sforcuar për të gjetur një zgjidhje, qoftë sa për sy e faqe, duke pranuar publikisht faktorizimin politik të “Flamingo” e mbi të gjitha që protesta ja ka trazuar keqas gjumin e natës. I zhytur në trishtimin e parrugëzgjidhjes përballë korrupsionit masiv në qeverisje, zgjodhi që pikërisht KORRUPSIONIN të mos e përfshinte fare në fjalimin e tij! Peshën e pakënaqesisë popullore ja vari si këmborë arrogancës në administratë. Dhe për këtë fjala e “artë” që kishte zgjedhur ishte- EMPATIA! Pra, Rama i kërkoi gjithë armatës qeverisëse që, kur të qeverisin të krijonin EMPATI! Pra, çdo veprim tash e tutje i administratës, duhet ta lexojë hallin e tjetrit(popullit ne këtë rast) sikur të ishte halli i vet, personal! Për këtë solli rastin e Arbërit nga Lushnja që prej tre vjetësh mbahej peng nga indiferentizmi dhe arroganca e punonjësve në Ministrinë e Bujqësisë, që as përgjigje nuk i kishin kthyer për një kërkesë që kishte dërguar në adresë të këtij institucioni.Tani, Arbëri nga Lushnja, ishte bërë pjesë e “revolucionit” i shtyrë nga kjo arrogancë administrative. Raste si ky i Arberit në këtë vend janë miliona, të përditshme, të çdo ore, të çdo minute, të çdo sekonde! Fytyrën e administratës sot, fatkeqësisht, populli e përshkruan si pordhace dhe totalisht të paaftë.Gjithsesi kryeministri bëri mirë në identifikimin e kësaj plage që rrjedh gjak e nuk po jep fare shenja përmirësimi, përkundrazi. Por, nga ana tjetër, si një aktor brilant i kohës, ai me qëllim “harroi” të theksonte se problemi më i madh i shtetit shqiptar nuk është thjeshtë arroganca, por:- KORRUPSIONI! Kryeministri e anashkaloi faktin se “Flamingo” është pjellë e zemërimit të egërr popullor, mbi të gjitha përballë:- KORRUPSIONIT! Kryeministri “harron” se shpesh pordha e madhe dhe korrupsioni janë binjakë te pandashëm. Kur je i paaftë dhe ke zënë një vend që stë takon në administratë ështe po ashtu një akt korruptiv. Pjesa më e madhe e atyre që ndajnë zyrat e pushtetit janë individë të pilotuar nga politika ose nepotizmi.Jo më kot edhe konkurrimet,qoftë edhe sa për sy e faqe, për poste drejtuese në administratë pothuajse janë zhdukur fare. Kryeministri “harroi” të na provonte se reflektimi do të ishte shumë i ashpër me të gjithë ata që kane guxuar të shkelin ligjin, që do ti ZHDUKI nga vendimarrja të gjithë të korruptuarit që vazhdojnë ende në detyrë, madje edhe në raste të provuara publikisht në abuzimin me detyrën. Kam kohë që e përmend rastin e një drejtori teatri në Tiranë që ka pranuar prej dy vjetësh me zë dhe figurë se ka abuzuar me detyrën, e ndërkohë vazhdon të konfirmohet në post me arrogancë nga Pali Miska Gonxhe!!! Por kjo ” goditje” do ishte e vështirë për Ramën, se do i duhej të rrëzonte një mal të madh me mut që e ka kalcifikuar deri në ashtë modelin e tij qeverisës. “”Reflektimi” i Ramës ishte tamam si ajo shprehja- “m’ka çu lala me la gojën”, dhe jo një reflektim i thellë, bindës, me lëvizje të forta që do e shkundnin nga rrënjët qeverisjen. Atëhere- PO, ndofta mund të kishim besuar tek EMPATIA si mision politik, edhe pse, me thënë të drejtën, vështirë se do ta besonte më njeri në këtë vend. Unë mendoj që edhe “BESËN” që premtoi, ska pse e jep fare as ai e as PS. Pamvarësisht jehonës së fortë që shkakton kjo fjalë, ndofta më e përmendura në gjuhen tonë falë kushtetutës së maleve, institucioni “BESA” lindi nga PABESIA! Unë nuk besoj se do ta besonte më njeri në këtë vend të pabesueshëm një kryeministër që i jep “BESËN” sëbashku me ekipin e tij të korruptuar- POPULLIT!!! Për të qeshur e për të qarë! Teatër më të madh se ky ska regjisor ta fantazojë, përveç një Hamleti kaq modern të interpretuar dhe inskenuar nga Edi Rama! Unë personalisht fillova të dridhem, e ndjeva direkt EMPATINE, dhimbjen deri në kockë që më transmetoi Hamleti ynë i trishtuar! Fjalët e tij të para, por edhe të fundit ishin: -“Kjo botë u shthur,o prapësi, o dreq! Që unë paskam lindur të të ndreq…”!

Leave a comment

Trending