
Administrata Trump po shqyrton mundësinë e pezullimit të sistemit PURL, përmes të cilit Ukraina siguron armë nga vendet europiane.
Sipas zyrtarëve evropianë, ky kërcënim synon të ushtrojë presion mbi Kievin që të ndalojë sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ruse, raporton Financial Times.
Zyrtarët europianë thanë se morën telefonata nga përfaqësues amerikanë gjatë së shtunës dhe të dielës, teksa SHBA po përpiqet të bindë Ukrainën dhe kryeqytetet evropiane që t’i japin fund sulmeve ndaj rafinerive ruse të naftës.
PURL është një mekanizëm i NATO-s përmes të cilit vendet evropiane financojnë blerjen e armëve amerikane për Ukrainën, të cilat më pas i dërgohen Kievit.
Zhvillimi vjen pasi Trump njoftoi marrëveshjen me Rusinë për lëshimin në treg të miliona fuçive me naftë ruse, për të ndikuar në uljen e çmimit të karburantit të shkaktuar nga lufta në Iran.
Trump i bëri thirrje sot presidentit të Ukrainës Volodomyr Zelensky që të mos sulmojë infrastukturën energjitike të Rusisë, pas një shpërthimi në një rafineri ruse, ndërsa shtoi se Ukraina ka nevojë për një lider të ri.
Më pas, ai njoftoi se Rusia dhe Ukraina kanë arritur një marrëveshje të menjëhershme për ndalimin e sulmeve ndaj infrastukturës së energjisë, megjithatë dy vendet nuk kanë konfirmuar publikisht diçka të tillë.

Leave a Reply