E premtja që nisi me disa përplasje të dhunshme, u mbyll në paqe, çfarë pritet që të rezervojë dita e shtunë

TIRANË- Mbrëmja e kësaj të premteje, është mbyllur në paqe mes protestuesve dhe efektivëve të policisë, pas 4 ditësh ku përplasjet e dhunshme kanë qenë prezente në të gjitha zonat kryesore të kryeqytetit, me institucione në flakë, dhe qindra të shoqëruar në komisariate dhe spitale.
Mësohet se të rinjtë do të kthehen sërish në protestë përgjatë ditës së nesërme, fillimisht në orën 11 përpara Ministrisë së Arsimit dhe mandej skenarët janë të paparashikueshëm. Për ditën e nesërme është bërë thirrje që protestuesve në Tiranë, ti bashkohen dhe qytetarë të diasporës, ndërsa pararojë e revoltës së këtyre ditëve kanë qenë kryesisht gjimnazistë e studentë, të cilët kanë bojkotuar mësimin.
Dita e nesërme përkon me pushimin në shkolla dhe Universitete, një tregues që pritet të jetë një provë nëse organizimi shkon përtej dyerve të institucioneve shkollore. Kërkesa kryesore e artikuluar nga studentët është ajo për ndryshimin e qeverisë, kërkesë për të cilën deri tani kryeministri Edi Rama nuk ka dhënë asnjë sinjal tërheqje.
Gjatë këtyre ditëve, Rama ka zgjedhur të reagojë kryesisht me mesazhe në rrjetet sociale, ku pretendon se protesta është e orkestruar nga opozita, dhe nga duar të errëta të huaja. Megjithatë, revolta studentore ka sjellë një sërë pasojash për funksionimin e shtetit, ku të enjten u anulua seanca plenare, shumë biznese janë dëmtuar si pasojë e dhunës, ndërkohë që për 3 ditë me radhë, filialet e bankave kanë qëndruar të mbyllura.
Pavarësisht deklaratave të Ramës, se pas studentëve me maska qëndrojnë qarqe të opozitës, të rinjtë në disa raste kanë mbajtur larg protestës edhe deputetët demokratë, madje përgjatë ditës së sotme, Klevis Balliu përfundoi në Lanë, për ti shpëtuar zemërimit të tyre. Edi Paloka, e Belind Këlliçi u larguan gjithashtu nga radhët e protestuesve, ndërsa komisariatet janë mbushur me djelmosha të rinj, që janë shoqëruar prej ditësh në mënyrë të dhunshme.E shtuna do të jetë një ditë prove për të kuptuar si do të vijojë më tej kjo revoltë, që nisi si një lëvizje rinore, e po vijon si një rrymë që kërkon ndërrimin e sistemit, dhe në ndryshim nga Flamingot që u instaluan në shesh për më shumë se 4 muaj, të rinjtë e këtyre ditëve e presin më më padurim ndryshimin. /SHEKULLI





Leave a Reply