
Banka dixhitale Revolut ka pësuar një ndërprerje të madhe të shërbimeve, duke prekur miliona përdorues në mbarë botën. Kompania ka deklaruar se po punon për zgjidhjen e problemit.
Raportimet e para u shfaqën mëngjesin e së martës, kur përdoruesit nisën të ankoheshin se nuk mund të hynin në llogaritë e tyre bankare apo të përdornin kartat për pagesa. Sipas raportimeve, disa përdoruesve u janë refuzuar pagesat me kartë, ndërsa të tjerë kanë marrë mesazhe gabimi gjatë përpjekjeve për të hyrë në aplikacion dhe për të kontrolluar llogaritë e tyre.
Pas ankesave të shumta në rrjetet sociale, kompania publikoi një deklaratë për të qetësuar klientët, duke i siguruar se po punon për zgjidhjen e problemit dhe se fondet e tyre janë të sigurta.
“Aktualisht po përballemi me një ndërprerje që prek disa prej shërbimeve tona. Mund të konfirmojmë se të gjitha paratë dhe të dhënat e klientëve tanë janë të sigurta”, deklaroi Revolut.
“Kemi punuar për zgjidhjen e problemit që nga momenti kur ai u identifikua mëngjesin e sotëm dhe u kërkojmë ndjesë të gjithë personave të prekur për shqetësimet e shkaktuara”, shtoi kompania.
Banka dixhitale nuk ka njoftuar ende se kur pret të rikthejë funksionimin normal të shërbimeve, duke lënë miliona përdorues pa mundësi për të pasur akses në fondet e tyre apo për të kryer pagesa me kartat Revolut.
Ankesat kanë ardhur nga vende të ndryshme të botës, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Irlandën, Francën, Spanjën, Japoninë dhe shtete të tjera. Ende nuk është e qartë nëse ndërprerja ka prekur të gjithë përdoruesit e Revolut.
Revolut, startup-i më i vlefshëm në Europë
Revolut është aktualisht startup-i me vlerën më të lartë në Europë, me një vlerësim prej 121.1 miliardë dollarësh, duke tejkaluar në vlerë edhe gjigantë tradicionalë të sektorit bankar europian, si Barclays, Lloyds dhe Santander.
Sipas kompanisë, Revolut ka më shumë se 80 milionë klientë individualë dhe po rritet me një ritëm prej rreth një milion përdoruesish të rinj çdo 17 ditë. Me këtë ritëm, banka pritet të kapërcejë pragun e 100 milionë klientëve deri në mesin e vitit 2027.
Banka online fitoi popullaritet falë përfitimeve të shumta që ofron për udhëtimet jashtë vendit, përfshirë kurset konkurruese të këmbimit valutor, pagesat pa komisione dhe mundësinë për të tërhequr para nga bankomatet në vende të ndryshme të botës pa tarifa, brenda kufijve të përcaktuar.
Paketat e anëtarësimit të niveleve më të larta ofrojnë gjithashtu sigurim shëndetësor, akses në sallonet e aeroporteve dhe mbulim të shpenzimeve në rast vonesash të udhëtimeve.
Përdoruesit e Revolut mund të kryejnë gjithashtu transferta të menjëhershme dhe pa pagesë mes tyre, si dhe transferta ndërkombëtare të shpejta, me komisione të ulëta dhe të përcaktuara paraprakisht.
Tregjet më të mëdha të startup-it me seli në Mbretërinë e Bashkuar janë vetë Mbretëria e Bashkuar, me 13 milionë klientë, Spanja me 6 milionë dhe Franca me 5 milionë.
Përveç klientëve individualë, më shumë se 750 mijë kompani përdorin shërbimin Revolut Business. / Euronews





Leave a Reply