Me shumë gjasë qeveria do të propagandojë fuqishëm uljen e tvsh-së për ushqimet bazë si një masë e konsiderueshme lehtësimi për qytetarët shqiptarë. Por e vërteta është se paketa e re fiskale e rrit barrën e taksave, që do të paguajnë qytetarët me plot 110 milionë euro në vit.

Ky është efekti neto financiar i zbardhur nga relacionet zyrtare të Paketës së re Fiskale, të cilën qeveria e Edi Ramës dhe ministri i Financave, Petrit Malaj, ia nisën bizneseve në fshehtësi të plotë mbrëmë në orën 22:00, vetëm tre ditë pasi u kishin premtuar në Këshillin Tatimor se nuk do të kishte asnjë ndryshim taksash.

Efekti neto i Paketës 2027/ Si u fshehën 110 milionë euro taksa

Karamelja e uljes së TVSH-së për ushqimet thuajse kompesohet vetëm nga rritja e shkallës staturore të kësaj takse në masën 21 për qind, për të gjitha produktet dhe shërbimet e tjera.

Por masat e tjera, përgjysmimi i pragut të tvsh-së për bizneset, rritja e tatim fitimit në 17 për qind, dyfishimi i dividentit, rritja e tvsh-së për turizmin, jo vetëm që e asgjësojnë totalisht lehtësimin e ushqimeve, por e çojne efektin neto të paketës fiskale në shtim barre me 110 milionë euro.

Ku do të merren 110 milionë eurot?

Sipas përllogaritjeve të bazuara në relacionet zyrtare të Ministrisë së Financave, spastrimi i ri fiskal ndahet në dy shtylla kryesore. Së pari, në fushën e tatimit mbi të ardhurat, shteti siguron rreth 77.4 milionë euro (7.03 miliardë lekë) shtesë.

Ky fluks vjen nga rritja e tatim-fitimit të korporatave në 17%, që u merr kompanive 55 milionë euro (5 miliardë lekë), si dhe nga pothuajse dyfishimi i taksës mbi dividendin në 15%, që do të zhvatë edhe 33.5 milionë euro (3.04 miliardë lekë) të tjera.

Ndërkohë, reforma e TAP-it sjell një kosto administrative neto prej 11.1 milionë eurosh (1.01 miliardë lekë), pasi lehtësimi i shtresës së mesme zbutet ndjeshëm nga taksa e re prej 32% mbi pagat e larta.

Së dyti, ndryshimet në skemën e TVSH-së dhe përgjysmimi i pragut për biznesin e vogël sjellin një efekt neto pozitiv prej 32.1 milionë eurosh (2.91 miliardë lekë).

Rritja e TVSH-së standarde në 21% do të shtrenjtojë shumicën e mallrave dhe shërbimeve duke futur në buxhet plot 116.7 milionë euro (10.6 miliardë lekë). Paralelisht, goditja ndaj turizmit dhe agroturizmit përmes rritjes së TVSH-së në 10% do të marrë 6.7 milionë euro (614 milionë lekë).

Goditja më e rëndë i jepet biznesit të vogël, ku përgjysmimi i pragut nga 10 në 5 milionë lekë fut me forcë në skemë 17,516 biznese, me një kosto prej 49.5 milionë eurosh (4.5 miliardë lekë).

E gjithë kjo valë shtrenjtimesh kompenson plotësisht dhe mbulon lehtësisht humbjen prej 141 milionë eurosh (12.8 miliardë lekë) që arkave të shtetit u kushton ulja e TVSH-së së shportës bazë në 6%. /Marrë nga Monitor.al

Leave a Reply

Trending