
Qeveria ka vendosur te ruaje partneritetet publiko-private (PPP), lehtësitë për investitorët strategjikë dhe mundësinë e ndërtimit të resorteve turistike me vila e apartamente në pronësi individuale. Projektligji i ri “Për turizmin”, i publikuar për konsultim, parashikon vijimin e këtyre mekanizmave, ndërsa përcakton shprehimisht kategorinë e resorteve mikse, që ndërthurin hotelerinë me njësitë rezidenciale. Drafti synon të zëvendësojë ligjin nr. 93/2015, të ndryshuar, por ruan një pjesë të rëndësishme të dispozitave ekzistuese për investimet turistike, përfshirë përdorimin e pasurive shtetërore dhe marrëveshjet e zhvillimit me investitorët.
PPP-të dhe investimet strategjike, pronat shtetërore edhe për 99 vjet
Në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, shteti do të vazhdojë të ketë mundësinë të hyjë në marrëveshje me investitorët privatë, përfshirë partneritete publiko-private dhe pjesëmarrje me aksione në sipërmarrje turistike. Neni 38 i draftit përcakton se organet e qeverisjes qendrore mund “të përfshihet në partneritete publiko-private, të përfaqësohet me aksione në sipërmarrje turistike, të vërë në dispozicion pasuri të paluajtshme, si dhe të sigurojë infrastrukturë mbështetëse”. Këto forma bashkëpunimi parashikohen edhe në ligjin aktual, ndërsa drafti i ri i mban në fuqi, duke përcaktuar zbatimin e legjislacionit të posaçëm për PPP-të.
Projektligji ruan gjithashtu mundësinë e dhënies së pronave shtetërore në përdorim deri në 99 vjet dhe përmes kontratave simbolike 1 euro. Për investitorët me status “Investitor Strategjik i Veçantë”, qeveria mund të vendosë, rast pas rasti, transferimin e pronësisë së pasurive shtetërore pas realizimit të plotë të investimit. Në draft përcaktohet se “Këshilli i Ministrave mund të vendosë, rast pas rasti, transferimin e së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme shtetërore në favor të investitorit, pasi të jetë realizuar investimi i plotë”. Për hotelet dhe resortet me katër ose pesë yje, statusi special do të vazhdojë të jepet për investime me vlerë minimale përkatësisht 8 milionë dhe 15 milionë euro.
Resortet mikse, vijon shitja e vilave dhe apartamenteve individuale
Projektligji përcakton shprehimisht kategorinë e “resortit miks”, duke njohur zhvillimet turistike që përfshijnë njëkohësisht struktura hoteliere, vila, apartamente dhe ambiente të përbashkëta. Sipas nenit 4, resortet mikse mund të përfshijnë njësi rezidenciale që “mund të jenë objekt i pronësisë dhe disponimit të veçantë”. Kjo dispozitë lejon vijimin e modelit të komplekseve turistike ku vilat dhe apartamentet mund t’u shiten blerësve individualë, në përputhje me kushtet ligjore dhe marrëveshjet përkatëse të zhvillimit.
Drafti parashikon certifikimin paraprak të të gjithë projektit, ndërsa pas përfundimit të ndërtimit, kategorizimit dhe klasifikimit i nënshtrohet vetëm pjesa e destinuar për akomodim turistik. Megjithatë, neni 44 vendos kufizime për transferimin e pronësisë. Investitori mund t’ua transferojë të tretëve strukturat e veçanta akomoduese vetëm kur ato janë identifikuar në mënyrë të detajuar në projekt dhe në marrëveshjen e zhvillimit.
Për strukturat e ndërtuara mbi prona shtetërore të vëna në dispozicion të investitorit, drafti përcakton se “transferimi i së drejtës së pronësisë ose i të drejtave të tjera reale mbi to te të tretët nuk lejohet”./monitor




Leave a Reply