
Vazo 3: Shqipëria, Gjeorgjia, Islanda, Izraeli, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Polonia, Rumania, Skocia, Sllovakia, Ukraina.
Rruga drejt Kampionatit Europian 2028 po bëhet gjithnjë e më konkrete. Më 6 dhjetor, në Belfast, do të hidhet shorti i fazës kualifikuese, ku Shqipëria dhe Kosova do të jenë pjesë e vazos së tretë, duke mësuar kundërshtarët me të cilët do të përballen në garën për një vend në turneun kontinental.
Euro 2028 do të organizohet nga Anglia, Skocia, Uellsi dhe Republika e Irlandës, por katër përfaqësueset pritëse nuk do të kenë të garantuar kualifikimin automatik. Ato do të marrin pjesë normalisht në eliminatore, ndërsa UEFA ka parashikuar një mekanizëm të veçantë, duke rezervuar dy vende për organizatorët që nuk arrijnë të sigurojnë kualifikimin përmes rezultateve sportive.
Në fazën kualifikuese do të marrin pjesë 54 kombëtare, të ndara në 12 grupe. Gjashtë grupet e para do të përbëhen nga katër skuadra, ndërsa gjashtë të tjerat do të kenë nga pesë ekipe.
Kualifikimin direkt në Europian do ta sigurojnë 12 fituesit e grupeve dhe tetë skuadrat më të mira të renditura në vendin e dytë. Biletat e mbetura do të vendosen përmes ndeshjeve play-off, ku mund të jenë në lojë deri në katër vende të tjera.
Shqipëria dhe Kosova rrezikojnë përballje me gjigantët e Europës
Një nga detajet më interesante për shortin e 6 dhjetorit është pozicionimi i Shqipërisë dhe Kosovës në vazon e tretë. Kjo do të thotë se dy përfaqësueset shqiptare mund të përballen me emra të mëdhenj të futbollit europian, si Franca, Gjermania, Spanja, Portugalia, Anglia, Italia dhe Holanda, të cilat bëjnë pjesë në dy vazot e para.
Megjithatë, Shqipëria dhe Kosova nuk mund të shortohen në të njëjtin grup.
Vazot e shortit për eliminatoret e Euro 2028:
Vazo 1: Belgjika, Kroacia, Danimarka, Anglia, Franca, Gjermania, Greqia, Italia, Holanda, Norvegjia, Portugalia, Spanja.
Vazo 2: Austria, Bosnjë-Hercegovina, Çekia, Hungaria, Irlanda e Veriut, Republika e Irlandës, Serbia, Sllovenia, Suedia, Zvicra, Turqia, Uellsi.
Vazo 3: Shqipëria, Gjeorgjia, Islanda, Izraeli, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Polonia, Rumania, Skocia, Sllovakia, Ukraina.
Vazo 4: Armenia, Bjellorusia, Bullgaria, Qipro, Estonia, Ishujt Faroe, Finlanda, Kazakistani, Letonia, Luksemburgu, Moldavia, San Marino.
Vazo 5: Andorra, Azerbajxhani, Gjibraltari, Lihtenshtajni, Lituania, Malta.
Rregulla të veçanta për organizatorët, ndikim edhe nga Liga e Kombeve
Shorti do të ketë disa kufizime të veçanta. Anglia, Skocia, Uellsi dhe Republika e Irlandës do të ndahen në grupe të ndryshme, me qëllim rritjen e mundësive të tyre për të siguruar kualifikimin. Në këtë grup përjashtimesh do të përfshihet edhe Irlanda e Veriut.
Një rol të rëndësishëm do të luajnë edhe rezultatet e Ligës së Kombeve. Përfaqësueset që do të jenë të angazhuara në çerekfinale ose në ndeshjet play-off për ngjitje dhe rënie mes ligave do të kenë kufizime në short, në mënyrë që kalendari të përshtatet me angazhimet e tyre.
Kur nisin eliminatoret e Euro 2028?
Pas shortit të 6 dhjetorit në Belfast, gara kualifikuese do të nisë në mars 2027. Në këtë periudhë do të luajnë vetëm skuadrat e grupeve me pesë ekipe që nuk janë të angazhuara në çerekfinalet apo play-off-et e Ligës së Kombeve.
Përfaqësueset e tjera do ta nisin rrugëtimin në shtator 2027, ndërsa faza kualifikuese do të mbyllet në nëntor të po atij viti.
Kalendari i eliminatoreve:
26-27 mars 2027 – Ndeshja e parë.
29-30 mars 2027 – Ndeshja e dytë.
11-12 qershor 2027 – Ndeshja e tretë.
14-15 qershor 2027 – Ndeshja e katërt.
23-25 shtator 2027 – Ndeshja e pestë.
26-28 shtator 2027 – Ndeshja e gjashtë.
30 shtator – 2 tetor 2027 – Ndeshja e shtatë.
3-5 tetor 2027 – Ndeshja e tetë.
11-13 nëntor 2027 – Ndeshja e nëntë.
14-16 nëntor 2027 – Ndeshja e dhjetë.





Leave a Reply