
Bashkia e Tiranës ka reaguar zyrtarisht pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama gjatë mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste të Tiranës, duke i cilësuar ato si ndërhyrje politike në kompetencat dhe vendimmarrjen e drejtuesit të zgjedhur të institucionit.
Në reagimin e saj, Bashkia kundërshton presionin publik ndaj drejtuesve të administratës bashkiake dhe thekson se emërimet dhe shkarkimet në institucion janë kompetenca që ushtrohen në përputhje me ligjin, duke kërkuar respektimin e autonomisë vendore.
Më tej, në deklaratë ngrihen shqetësime se masa e sigurimit personal ndaj kryetarit të zgjedhur të Bashkisë po përdoret për të dobësuar autoritetin e tij institucional dhe për të imponuar kontroll politik mbi institucionin.
Gjatë mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste për Tiranën, kryeministri Edi Rama u ndal te situata në Bashkinë e kryeqytetit dhe përplasjet që lidhen me kryebashkiakun Erion Veliaj.
Rama gjatë Asamblesë u shpreh:
“Një njeriu që nuk është i lirë i falet të lexojë gabim situata dhe të fantazojë duke folur gabim dhe të porosisë gabimisht punë të gabuara. Askujt që ka lirinë të marrë vendime dhe ta vendosë veten në shërbim të të tjerëve nuk i falet të bëjë të njëjtat gabime dhe të zbatojë pososi që e bëjnë bashkëfajtor në gabime.
Çdo drejtuesi të çdo hallke të drejtimit të bashkisë Tiranë, që është dhe anëtar i kësaj force, i them se goditja e njerëzve në krye të detyrës me porosi nga lart për motive krejt të pajustifikueshme, as nuk do të harrohet, as nuk do të falet. Ne jemi partia që e kemi çliruar shteti nga makthi i krqtrajtimeve apo largimeve politike nga puna.
Si mund të largohet nga puna një grua që e ka mbajtur me dinjitet uniformën e Policisë Bashkiake, ashtu si edhe drejtues e punonjës të tjerë në Bashkinë e Tiranës? Pse nuk u bëjnë “like” dhe “share” dorëshkrimeve të Lalit nga burgu imagjinar politik? Apo pse nuk gëzojnë mbështetjen e avokatit të tij? Ky i fundit i adresohet shprehimisht Bashkisë së Tiranës, duke firmosur si drejtor politik, ndërkohë që është një nga dy të përjashtuarit e ditëve të fundit nga kjo shtëpi, ku nuk do të tolerohet më asnjë pasqyrim i fjalëve të tij ndaj popullit dhe kësaj familjeje, si e ëma e Zeqos në majë të thanës.
S’e gjykoj dot Erjonin për çfarë thotë e çfarë ai bën, uroj me gjithë zemër të kuptojë se është në gabim ditë e natë në raport me mua dhe në raport me PS. Por ne do ta gjykojmë me ashpërsinë më të madhe politike këdo në Bashkinë e Tiranës që do zbatojë këtë kuturisje qorre kundër njerëzve të bashkisë , qofshin qytetarë, apo si Erjona Lalaj (Kreu i policisë bashkiake), apo demokratë që punojnë në radhët e mijëra njerëzve në bashkinë e Tiranës.
Reagimi i plotë:
“Bashkia Tiranë dënon ndërhyrjet politike të Kryeministrit Edi Rama në kompetencat dhe vendimmarrjen e kryetarit të zgjedhur të Bashkisë Tiranë, si dhe presionin e ushtruar publikisht ndaj drejtuesve të administratës bashkiake.
Bashkia Tiranë nuk është institucion në varësi personale të Kryeministrit. Autonomia e saj garantohet nga neni 13 i Kushtetutës dhe ligji nr. 139/2015.
Emërimet dhe shkarkimet në administratën bashkiake janë kompetenca që ushtrohen sipas ligjit, jo sipas preferencave personale.
Deklaratat dhe presionet e fundit janë vijim i një qëndrimi që ngre shqetësime serioz se masa e sigurimit personal ndaj kryetarit të zgjedhur po shfrytëzohet për të neutralizuar autoritetin e tij institucional dhe për të imponuar kontroll politik mbi Bashkinë Tiranë.
Asnjë qëndrim politik nuk mund të justifikojë cenimin e autonomisë vendore dhe të vullnetit të qytetarëve të Tiranës.
Bashkia Tiranë kërkon ndërprerjen e çdo ndërhyrjeje politike në vendimmarrjen e saj dhe respektimin e plotë të rendit kushtetues.
Bashkia Tiranë u përket qytetarëve të saj, jo preferencave personale të Kryeministrit dhe do i shërbejë deri në fundit zgjedhësve të saj”





Leave a Reply