
Kosova nuk do të përfitojë fonde nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, pasi nuk ka përmbushur reformat e kërkuara. Bashkë me Serbinë dhe Bosnje-Hercegovinën, Kosova mbetet jashtë shpërndarjes së fondeve — ndërsa Shqipëria dhe Mali i Zi janë vendet që kanë performuar më mirë.
Komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, tha në samitin e Ballkanit Perëndimor në Tiranë se Shqipëria ka përmbushur 80% të reformave dhe ka siguruar 185.6 milionë euro nga Plani i Rritjes.
Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, e quajti humbjen e fondeve “një gabim jashtëzakonisht të madh” të qeverisë Kurti: “Po humbin më shumë investime në shkolla, më shumë investime kapitale dhe më shumë benefite për qytetarët e Kosovës.”
Kosova ka ende afat deri më 31 dhjetor për të përmbushur disa nga detyrimet e Planit të Rritjes. Kryeministri Albin Kurti tha se zgjedhjet e përsëritura e kanë ngadalësuar ritmin e reformave, por se me stabilitetin institucional dinamika është përshpejtuar.
Ndërkohë, në të njëjtin samit, Kurti kërkoi nga BE-ja hapjen e rrugës për statusin e vendit kandidat për Kosovën.
Burimet: Tv Klan, Mesazhi.com, RKS News.
Lux





Leave a Reply