
Sot, më 28 nëntor 2026, Shqipëria feston 114-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë, një prej datave më të rëndësishme të historisë dhe identitetit kombëtar.
Më 28 nëntor 1912, në Vlorë, Ismail Qemali ngriti flamurin kuq e zi dhe shpalli krijimin e shtetit të pavarur shqiptar, pas afro pesë shekujsh nën sundimin osman.
Festimet përqendrohen edhe këtë vit në Vlorë, ku në orën 10:00 zhvillohet ceremonia tradicionale e ngritjes së Flamurit. Në ceremoni pritet të marrë pjesë edhe kryeministri Edi Rama.
Kryeministri Rama e ka lidhur simbolikën e 28 Nëntorit me rrugëtimin europian të Shqipërisë. Përmes një fotografie nga Vlora, ai shkruan: “Mirëmëngjes dhe me 28 nëntorin më të afërt me europën e bashkuar, ju uroj fundjavë të gëzuar”.
Edhe kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, ka përcjellë urimet e tij për shqiptarët, duke vënë theksin te shqiponja dykrenare si simbol i lirisë, historisë dhe krenarisë kombëtare: “Një shqiponjë në xham, por me gjithë shpirtin e Shqipërisë brenda saj”. Mesazhi shoqërohet me një vepër arti në xham, të realizuar nga mjeshtri Vasil Dhiamandi.
Një mesazh urimi ka ardhur edhe nga sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili në emër të Shteteve të Bashkuara ka vlerësuar marrëdhëniet strategjike me Shqipërinë dhe bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Në deklaratën e tij thuhet: “Partneriteti ynë strategjik me Shqipërinë i bën qytetarët tanë më të begatë dhe më të sigurt”, duke veçuar bashkëpunimin në luftën kundër grupeve kriminale ndërkombëtare dhe karteleve të trafikut të drogës.
28 Nëntori lidhet gjithashtu me një tjetër ngjarje të rëndësishme të historisë kombëtare: më 28 nëntor 1443, Gjergj Kastrioti Skënderbeu çliroi Krujën nga pushtimi osman dhe ngriti flamurin mbi kalanë e qytetit.
Gëzuar 28 Nëntorin, kudo ku jetojnë shqiptarët!
Burimet: Gazeta 17 Shkurti, Tv Klan, Newsmax Balkans Albania
Lux






Leave a Reply