
Si kurrë më parë në historinë e zgjedhjeve amerikane, jo vetëm mediat më të rëndësishme amerikane që shquhen për paanshmëri, por edhe ato të cilat për më shumë se 100 vjet kanë mbështetur vetëm kandidatët republikanë për presidentë të Shteteve të Bashkuara, janë solidarizuar njëzëri pro-fitores së kandidates demokrate Hillary Clinton. Në këto zgjedhje, çdo nxënës gazetarie mund të marrë leksionin më të dobishëm ndonjëherë: pushteti i 4-rt sado i fuqishëm në ndikimin e tij, nuk mund të jetë vendimmarrës për zgjedhjet e një populli. Media amerikane, me gjithë fuqinë e saj financiare, duke kërkuar të sulmojë të vërtetat e oponentit Trump, tregoi herë pas here gjatë kësaj fushate, një naivitet dhe një “izolim” ndaj një të vërtete më të madhe, atë të vetë qytetarit amerikan.
E gjithë media pro-Hillary-t!
Jemi gati një muaj përpara zgjedhjeve dhe kandidatja demokrate për presidente ka mbështetjen e mbi 83 gazetave më të mëdha të vendit si dhe të shumë ekraneve të fuqishme si: NBC, ABC apo CNN. Madje edhe ‘Fox News’, që deri në zgjedhjet e kaluara presidenciale ishte hapur pro-republikan, në këtë fushatë ka pasur herë pas here përplasje me kandidatin Trump.
Gazeta “USA Today” me qarkullimin më të madh në tregun amerikan, deklaroi hapur se do të mbështeste çdo kandidat përveç Trump-it. ‘New York Times’ që renditet në vend të tretë për nga shitjet, u shpreh publikisht se ishte pro-Hillary Clinton-it (lexo shkrimin poshte). “Mbështetja jonë bazohet në respektin që kemi për intelektin, eksperiencën, forcën dhe kurajon e një karriere të gjatë, dedikuar shërbimit publik, shpesh si e para ose si e vetmja grua në këtë fushë.”
Krahas “The New York Times” dhe gazetave të tjera liberale si: “LA Times” apo “Boston Globe”, në mbështetjen pro-Clinton u renditën për herë të parë në historinë e tyre edhe gazeta konservative. Deklarata e “Dallas Morning News” u prit me protesta, shumë lexues anuluan abonimin kur lexuan një editorial ku shkruhej se do të mbeshtesnin kandidaten demokrate: “Ne nuk e kemi pasur të lehtë të arrinim në këtë vendim. Kjo gazetë nuk ka rekomanduar kurrë një demokrat qysh përpara Luftës së 2-të Botërore, pra në më shumë se 75 vite dhe 20 zgjedhje presidenciale.”
Akoma më tronditës ishte vendimi i gazetës konservative “Arizona Republic” që theu traditën 120 vjeçare. “Ishte një vendim i lehtë, duke parë sjelljen e Trump-it gjatë zgjedhjeve dhe mënyrën sesi ai komunikon me publikun. Ne mbështesim Clinton-in.”
“CNN Network” me një shpërndarje në 212 vende të botës, është në një luftë të vazhdueshme me Trump-in, madje ky i fundit, tallet në postimet e tij në Twitter me televizionin, deri dhe i ka quajtur “dështakë” analistët e punësuar pranë CNN.
Momentalisht, mediat e vetme që e mbështesin kandidatin republikan Trump janë: “New York Post”, pronë e manjatit të mediave Rupert Murdoch, “The New York Observer” që ka si pronar dhëndrin e Donald Trumpit dhe “The National Enquirer” një tabloid i famshëm amerikan që ka një lexueshmëri të lartë tek shtresat e ulëta.
NGA DALINA BUZI
LAPSI.AL






You must be logged in to post a comment.