ab

Fjala “ashura” vjen nga gjuha arabe dhe rrjedh nga rrënja “ashr” që në arabisht do të thotë dhjetë.

Sipas një transmetimi të Abdullah ibn Abasit kur profeti Muhamed (salallahu aleihi we selem) erdhi në Medine, vuri re që hebrenjtë mbanin agjërim ditën e ashures dhe pyeti shkakun.

Ata iu përgjigjën : “Kjo është një ditë e madhe. Atë ditë Allahu e shpëtoi Musain dhe popullin e tij nga dhuna e Faraonit. Si falënderim për këtë, profeti Musa agjëroi atë ditë. Edhe ne për respekt agjërojmë”.

I Dërguari Allahut (salallahu aleihi we selem) u shpreh : “Ne e nderojmë më shumë se ju profetin Musa (salallahu aleihi we selem)”.
Duke mbajtur edhe vetë agjërim urdhëroi popullin e tij të agjërojë ditën e ashures

(Muslim, Sijam, 128).

Pasi u bë obligim agjërimi i Ramazanit, i Dërguari i Allahut Muhammedi (salallahu aleihi we selem) solli një liri për këtë temë duke thënë:
“Pa dyshim që dita e ashures është një ditë nga ditët e Allahut. Kush të dojë agjëron dhe kush te dojë, jo.” (Buhari, Sami, 57 ; Muslim, Sijam 117).

Agjërimi në ditën e ashures është sunnet (vullnetar). Veçse profeti ynë i nderuar (salallahu aleihi we selem), për të mos u ngjarë hebrenjve, na këshillon që së bashku me ditën e dhjetë të Muharremit, të agjërohet edhe dita e nëntë apo e njëmbëdhjetë, ose të agjërohen tri ditë të njëpasnjëshme.

I Dërguari i Allahut (salallahu aleihi we selem) në një thënie të tij thotë : “Dallohuni nga tradita e hebrenjve, duke agjëruar një ditë përpara dhe ditën pasuese nga dita e ashures.”(Buhari, Saum69)

Ndërsa në vitin e fundit të jetës së tij ka thënë : “Nëse jetoj edhe vitin që vjen, do të agjëroj ditën e nëntë dhe të dhjetë të ashures.” (Muslimi ; Ebu Davudi).
Ndërsa Ebu Katade transmeton se sahabët e kanë pyetur Profetin (salallahu aleihi we selem) për agjërimin e ditës së Ashures dhe ai u ka thënë : “Agjërimi ditës së Ashures i shlyen gjynahet e vitit të kaluar.” (Muslim, Sijam, 196).

Xhabiri transmeton se i Dërguari i Allahut (salallahu aleihi we selem) ka thënë: “Kush është bujar me veten dhe me familjen e tij në ditën e Ashures, Allahu do të jetë bujar me të për gjithë vitin.” (Bejhekiu)

  • Dijetarët e kanë përmendur agjërimin e ashures në tri mënyra :
  1. Agjërimi i tre ditëve 9, 10 dhe 11 në muajin Muharrem ;
  2. Agjërimi në ditën e 9 dhe të 10 të këtij muaji ;
  3. Agjërimi vetëm në ditën e 10 të këtij muaji.
  • Dita e Ashures është një ditë e shënuar, duke qenë se përkon me një sërë ngjarjesh të rëndësishme në historinë Islame :
  1. Në këtë ditë është pranuar pendesa e Ademit(salallahu aleihi we selem),
  2. është ndaluar në malin Xhud anija e Nuhut (salallahu aleihi we selem),
  3. ka lindur dhe ka dalë nga flakët e zjarrit pa u djegur Ibrahimi (salallahu aleihi we selem),
  4. është shëruar nga sëmundja e gjatë Ejubi (salallahu aleihi we selem),
  5. ka shpëtuar nga barku i peshkut Junusi (salallahu aleihi we selem),
  6. është ngjitur në qiell Isai (salallahu aleihi we selem).
  7. Po në këtë ditë ka rënë dëshmor në vendin e Qerbelasë nipi i dashur i profetit, Hysejni, Allahu e mëshiroftë.

Megjithëse kjo ditë është konceptuar si një qerasje ëmbëlsire, dita e ashures është e rëndësishme për nga vlera shpirtërore që simbolizon dhe atmosfera vëllazërore që sjell.

Duke marr si shkak ditën e Ashures, le të kujtojmë edhe një herë fqinjin, le të bëhemi pengesë për unin tonë duke agjëruar, të pajtohemi me atë që nuk flasim dhe të kujtojmë devizën islame : “Të gjithë muslimanët janë vëllezër.”

Trending