Deputetët socialistë kanë kërkuar në mënyrë të vazhdueshme largimin e ministrave teknikë të Partisë Demokratike, si dhe ministrave të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Pas dorëheqjes së teknikëve të Partisë Demokratike, ligjvënësit socialistë i kërkojnë kryeministrit Edi Rama të largojë ministrat e LSI.Deputetët socialistë e cilësojnë jo normale dhe të pamoralshme qëndrimin në qeveri deri në fund, të ministrave të LSI. Kjo forcë politike e cila bashkëqeverisi me PS, në fushatë shprehu besimin se do të merrte në dorë drejtimin dhe fatet e vendit e vetme, pa asnjë forcë tjetër politike në koalicion. Madje, LSI i vuri kusht Edi Ramës se do qëndronte në koalicion nëse kryeministri dy vitet e fundit t’i përkiste asaj. Por PS mori 74 mandate dhe nuk pati nevojë të bëjë koalicion me asnjë forcë tjetër politike. Në këto kushte, deputetët socialistë kërkojnë që ministrat e LSI të largohen për moral, meqenëse nuk i arritën pritshmëritë e tyre, që kjo parti të dilte forcë e parë pas 25 qershorit. Deputeti Bujar Çela tha se është në turpin e tyre që ministrat e LSI vijojnë të qëndrojnë në qeveri. “Ata duhet të ishin larguar që në datën 17 maj, por nuk janë aq burra. Lehin si qeni LSI forcë e parë; qeni nuk leh se është trim, por leh se kanë frikë se e hanë! Është në turpin e tyre që vijojnë të qëndrojnë në qeveri! Koalicioni me LSI nuk duhet të kishte nisur asnjëherë. Por ishte populli që na detyroi, dhe u bë! Tashmë populli e kuptoi që LSI s’duhet të rrinte në qeveri, ia dha timonin PS. Ata të paktën për moral duhet të largohen vetë”, tha deputeti Çela.

Trending