Pas Tropojës, Shkodrës e Lezhës ditën e djeshme, bashkitë që drejtohen nga opozita kanë hyrë në veprime konkrete për të zbatuar dekretin e Presidentit për anulimin e 30 qershorit si datë e mbajtjes së zgjedhjeve lokale.

Sot, situata ka qenë e ndezur, me përplasje të vazhdueshme në Burrel, Kukës, Kavajë, Kamëz, Berat, Pogradec, Bilisht, Lezhë e Gjirokastër.

Situata më te tensionuar ka qenë në Burrel dhe Kukës.

Në Burrel ka pasur tensione pas përplasjes mes qytetarëve dhe policisë. Ka pasur përleshje mes policisë dhe qytetarëve në KZAZ 16, për lirimin e ambienteve zgjedhore.

Si rrjedhojë e përplasjes së dhunshme pati disa të lënduar. Për pak kohë, policia hyri në ambientet e KZAZ dhe arriti të shpërndajë qytetarët duke lëshuar gaz lotsjellës.

Përplasja ka qenë fizike, ku janë përdorur edhe shkopinj dhe sende të tjera të forta. Bëhet me dije se ka pasur të plagosur si nga ana e qytetarëve, ashtu edhe nga ana e policisë. Të plagosurit janë dërguar në Spitalin e Burrelit.

Por, zyrtarët e Bashkisë kanë ndërhyrë në Burrel duke nxjerrë jashtë materialet zgjedhore si dhe duke zbatuar dekretin e Presidentit për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, pavarësisht rezistencës së bërë nga policia.

Në ndihmë atyre i kanë ardhur edhe një grup i madh qytetarësh.

Trending