U ndalua? U arrestua? Bëri sherr me policin italian? Apo asnjë nga këto? Kryeministri shqiptar ka dhënë versione të ndryshme për një histori të tregouar po prej tij në një intervistë dhënë për Gazzeta Dello Sport në 31 mars. Duke folur për diskriminimin që kishin pësuar shqiptarët në vitet e para pas rrëzimit tyë diktaturës, Ramë tha se ishte arrestuar një herë në Bolonja pasi kishte kundërshtuar një polic.

“Një herë më kanë arrestuar në Bolonja, pasi u revoltova ndaj një polici, i cili pyeste një grua shtatzënë se çfarë kishte në bark. I afroi qenin dhe ajo, e cila nuk dinte italisht, ra në gjendje të fikëti” – thotë Rama në intervistën e tij. (foto lart majtas)

Por ky rrëfim mbart në vetvete një problem ligjir për numrin “një” të mazhorancës. Ai nuk e ka përmendur këtë arrestim në formularin e dekriminalizimit që ka dorëzuar në KQZ. Në dokument (foto lart djathtas) shihet se Rama është përgjigjiur se nuk është arrestuar asnjëherë.

Ish-deputeti demokrat Oerd Bylykbashi, një nga hartuesit e ligjit të dekriminalizmit thotë se “kryeministri nuk e ka deklaruar këtë arrestim në formularin e Dekriminalizimit! Ne rast mosdeklarimi ligji dikton se ai humbet te gjitha funksionet publike. Edhe si deputet edhe si kryeministër!” – thotë Bylykbashi.

Pas këtij qëndrimi Rama ka dhënë një gjysmë-përgjigje të veshur me notat e tij folklorike të zakonshme. Në një postim në Twitter, Rama e ndryshon versionin e historisë duke e bërë nga “arrestim” në një “sherr me një polic”.

“O Zot të lutem në gjunjë t’u japësh pak vaj për kandilin e trurit, se u është fikur krejt e nuk dinë ç’nxjerrin nga terri i gojës! Unë flas me mediat italiane për racizmin antishqiptar në Itali gjatë viteve ’90, duke sjellë shembull një sherr me një polic në aeroport, po këta?!

Këta flasin për formularin e dekriminalizimit ku s’paskam deklaruar ndalimin nga policia! O Zot pse nuk e pate mendjen kur i krijove këta, po i le si karabina pa mure, pa elektrik, pa ujë?! Ndërhyr Zot i madh se gjynah këta, po gjynah edhe ky popull që çfarë nuk dëgjon prej tyre!” – shkruan Rama.

Tani Rama duhet ta ndajë mendjen. Ishte arrestim apo sherr me policin. Nëse ishte arrestim ka gënjyer para ligjit. Nëse ishte sherr ka gënjyer italianët.

Ish-deputeti Bylykbashi thotë se ka dy mundësi: “Ose në delir e sipër ka gënjyer median italiane ose ka gënjyer në formularin e dekriminalizimit. Alo Edi, pa u nervozuar dhe pa batuta bajate duhet të përgjigjesh për këtë. Je gënjeshtar delirant apo te duhet të dorëzosh mandatin si çereku i deputetëve të Partisë tënde?” – e mbyll Bylykbashi. ©LAPSI.al

Trending