Sulmet kibernetike kundër trupës shëndetësorë, shkencëtarëve të vaksinave dhe prodhuesve të ilaçeve janë rritur gjatë pandemisë në një përpjekje të grupeve kriminale të mbështetura nga shteti, për të siguruar qasje tek hulumtimet dhe informacionet më të fundit rreth pandemisë. Zyrtarët perëndimorë thonë se çdo informacion i vjedhur mund të shitet me qëllime përfitimi, të përdoret për të zhvatur viktimat ose për t’i dhënë qeverive të huaja një avantazh strategjik ndërsa luftojnë për të frenuar një sëmundje që ka vrarë deri më tani 1.4 milionë njerëz në të gjithë botën. Kompania Microsoft tha këtë muaj se kishte parë dy grupe hakerash të Koresë së Veriut të sulmonin prodhuesit e vaksinave në shumë vende.
Microsoft nuk bëri të ditur se për cilat organizata bëhej fjalë.
Ligjvënësit e Koresë së Jugut thanë të premten se agjencia e zbulimit e këtij vendi kishte arritur të godistë disa nga këto përpjekje.
Agjencia Reuters ka raportuar më parë se hakera nga Irani, Kina dhe Rusia janë përpjekur të futen këtë vit tek prodhuesit kryesorë të ilaçeve dhe madje edhe tek Organizata Botërore të Shëndetësisë.
Teherani, Pekini dhe Moska i kanë mohuar akuzat. Disa nga llogaritë e përdorura në sulmet ndaj kompanisë AstraZeneca ishin regjistruar në adresa postare elektronike ruse, tha një nga burimet, në një përpjekje të mundshme për të ngatërruar hetuesit.

