
Partitë aleate të Partisë Demokratike presin nga kryedemokrati Lulzim Basha që të finalizojë sa më shpejt një marrëveshje të formësuar koalicioni që këto parti të nisin punën për zgjedhjet e 25 prillit.
Megjithëse nuk ka ende një logjikë fikse se si do të funksionojë dhe dalë opozita në zgjedhjet e reja, një nga aleatët e PD-së, Kreu i Partisë Agrare, Agron Duka thotë për Gazeta “Shqip” se po shkohet drejt dy listave elektorale, njëra me udhëheqjen e PD-së dhe tjetra që ka komponent LSI-në, por që do të ketë markim të përbashkët për të siguruar që t’i heqin vota mazhorancës jo njera-tjetrës.“Do të jetë një ansambël i përbashkët edhe pse taktikisht mund të kemi dy lista”, tha Duka, i cili shtoi se “logjika e përbashkët është kontestimi dhe kundërshtimi i modelit klientelist të Edi Ramës dhe keqqeverisjes së tij”.
Ndërkaq Duka thekson se opozita nuk duhet të ketë komplekse nga sulmet e Ramës, që propogandon se do të kthehet Berisha dhe Meta. “Ore, fakt është se Sali Berisha nuk vjen më në qeveri, Meta është President, kështu që nuk shkon ajo propagandë”, ndaj duhet punuar menjëherë që të formësohet oferta e opozitës.
Ndërkaq, kreu i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka thekson se opozita duhet të paraqesë sa më shpejt programin, duke e konsultuar me të.
Është e rëndësishme, që Opozita të dalë më një program bindës dhe të realizueshëm, ku të japë zgjidhje dhe alternativa konkrete për çdo problem, që ka kontestuar apo denoncuar gjatë tetë viteve qeverisje të “Rilindjes”.
Opozita duhet të votohet, si një shpresë për ndryshim, si një garanci për qeverisje të mirë, jo thjesht për rotacion pushteti. Lulzim Basha duhet të japë zgjidhje programore më një program të miratuar paraprakisht nga të gjithë. Për Ekonomine, taksat, çmimin e karburantit e energjise elektrike, rrogat e mjekëve, infermierëve, mësuesve, pensionet, të përcaktojë pagën minimale, etj. Qëndrim të qartë ndaj koncensioneve dhe PPP abuzive, ndaj reformave në arsim, shendetesi, infrastrukture, bujqësi, pronë dhe për çdo problematikë tjetër”, thotë Ndoka për Shqip.


You must be logged in to post a comment.