
Komuniteti Bektashian ka përkujtuar këtë të dielë përmes një aktiviteti të veçantë, 100-vjetorin e Kongresit të Parë Bektashian zhvilluar në Prishtë të Skraparit. Presidenti Ilir Meta mori pjesë dhe përshëndeti aktivitetin solemn të zhvilluar në Selinë e Shenjtë të Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, me rastin e kremtimit të 100-vjetorit të Kongresit të Parë Bektashian, të mbajtur në Teqenë e Prishtës të Skraparit, më 14-17 janar 1921, nën moton “Pa Atdhe, nuk ka fe”.
Në veprimtarinë përkujtimore, ishin të pranishëm Kryegjyshi Botëror Haxhi Dede Edmond Brahimaj, kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Haxhi Bujar Spahiu, përfaqësuesi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, At Nikoll Kodheli, Ipeshkvi Ndihmës i Arqidioqezës së Tiranë-Durrësit Imzot Arjan Dodaj, përfaqësuesi i Vëllazërisë Ungjillore Shqiptare Pastor Ylli Doçi, Drejtori i Muzeut Kombëtar, Dorjan Koçi, Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shtetit, z.Ardit Bido, studiues, historianë si dhe besimtarë të shumtë bektashianë.
Pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe fjalës së hapjes nga Kryegjyshi Botëror Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Presidenti Meta duke iu drejtuar të pranishmëve u shpreh ”Kongresi miratoi statutin e parë të këtij guri të fortë themeli, të selisë së shenjtë. Përmes neneve të këtij statuti u sanksionuan shumë të drejta. Jemi krenarë që Selia e Shenjtë Bektashiane jo vetëm ngriti rrugën dhe eci e sigurt në gjurmët e Kongresit të Parë, por edhe është shndërruar në faktor aktiv në Shqipëri e Ballkan. Nderojmë sot përpjekjet e heronjve dhe klerikëve bektashianë që vuajtën nga regjimi. Edhe pas 30 viteve nga rënia e regjimit ende jo vetëm besimi bektashian, por edhe të tjerë kanë pengesa për të funksionuar në mënyrë më efikase pranë besimtarëve të tyre. Është koha që shteti dhe të gjitha institucionet të zbatojnë të drejtat kushtetuese të besimeve duke filluar nga kthimi i pronave dhe duke vazhduar me mbështetjen që ato meritojnë”, tha ndër të tjera Presidenti Meta.

