
Mjekët kinezë janë filmuar fshehurazi ku ata pranojnë se e dinin se sa i rrezikshëm ishte koronavirusi kur filloi të bënte kërdi në Wuhan. Ata pranojnë se iu tha që të gënjejnë për këtë. Mjekët profesionistë në Wuhan thonë se ata e dinin për vdekjet nga virusi që në dhjetor 2019, por vetëm në mes të janarit Kina informoi për herë të parë OBSH-në për një vdekje.
Detajet shokuese kanë dalë në një dokumentar të rrjetit britanik “ITV” me titull “Shpërthimi, virusi që tronditi botën” i cili u transmetua mbrëmjen e kësaj të marte. Në këtë dokumentar mjekët kinezë rrëfejnë se gjithashtu se ata e kuptuan që virusi po transmetohej mes njerëzve, por spitaleve iu tha “të mos thoshin të vërtetën” dhe kërkesat e tyre për të hequr dorë nga festimet e Vitit të Ri Hënor u refuzuan sepse autoritetet donin të “paraqisnin një shoqëri harmonike dhe në prosperitet”.
Dokumentari nxjerr fakte tronditëse se si autoritetet kineze e mbuluan epideminë në ditët e saj të para. Këto pamje vijnë në një moment të rritjes së presionit ndaj Kinës pasi një panel ekspertësh i mbështetur nga OBSH tha të hënën se Pekini ishte shumë i ngadaltë për t’iu përgjigjur shpërthimit. SHBA ndërkohë publikoi pretendime të reja që sugjeronin se virusi mund të kishte dalë nga një laborator i Wuhan.
Dokumentari i ITV rendit një numër në rritje të provave se Kina gënjeu botën për fazat e hershme të shpërthimit të koronavirusit, duke e lejuar atë që të kthehej në një pandemi globale. Kina informoi OBSH-në për 27 raste të sëmundjes atëherë të panjohur më 31 dhjetor 2019, por pa raportuar vdekje deri në mes të janarit. Në krahun tjetër mjekët kinezë të filmuar fshehurazi nga një gazetar qytetar thonë se ata e dinin më parë se virusi ishte vdekjeprurës.

