
Nga Armando Subashi
Në këto ditë janari, nuk mund të mos kujtojmë lindjen e Tashko Lakos, penës së latuar fierake, që u ngjye në gjakun e Luftës Çlirimtare dhe u ngjiz me dashurinë për Fierin, me energji të pashtershme deri në ditën e fundit të jetës.
Në memorje, dhe jam i bindur jo vetëm time, vjen imazhi i një personaliteti që la gjurmë në publicistikën, historinë, letërsinë shqiptare.
Fëmijëria e Tashko Lakos kaloi përmes ngjyrimeve historike të Mbretërisë shqiptare, e të Luftës Antifashiste Nacional – Çlirimtare. Në shtator të vitit 1943, ai iu bashkua batalionit partizan “Semani”, ndërsa më vonë inkuadrohet në radhët e Grupit të Tretë të Mallakastrës. Ai u lidh ngushtësisht me dekorin kulturor të këtyre viteve, përcaktuar si “erupsioni” më i fuqishëm i një brezi të tërë fierakësh, të cilët lindën dhe hodhën më vonë themelet e kulturës së këtij qyteti.
Fusha gazetareske për të nisi fill mbas çlirimit, me një kronikë sportive të rastësishme lidhur me një ndeshje skuadrash rajonale. Shumëkush nga bashkëkohësit dhe lexuesit e tij të panumërt, e njohin stilin e formuar gazetaresk të Tashko Lakos. Veçanërisht “thyerja” e tekstit me një pyetje retorike të midistë, përbënte zakonisht “digën” që mbante para vërshimit, “mllefin” e tij analitik. Në këtë “mllef” të grumbulluar në mënyrë të talentuar, gjendej sekreti i gjithë karakteristikave profesionale të një gazetari të aftë e skrupuloz. Ky sekret ishte energjia e pashtershme e tij që e nxiste në luftë të papajtueshme ndaj të keqes shoqërore, për të afirmuar të mirën e saj, në emër të kohës, rrethanave, besimit dhe idealit që ai përfaqësonte. Si i tillë, Tashko Lako ka lënë gjurmë të pashlyera në kujtesën e lexuesëve të kohës me shkrime të panumërta edukative dhe problemore.
Krijimtaria letrare e Tashkos në letërsinë shqipe përbën një korpus të gjerë dhe mjaft voluminoz. Ajo përfshin brenda tij gjini të ndryshme krijuese, si; përralla, tregime për fëmijë, fabula, drama, komedi, romane e novela si dhe letërsi dokumentare, gjithsej 33 tituj. Ky korpus është i përfshirë në një periudhë kohore që shtrihet përgjatë 52 vitesh.
Edhe në fushën e memoristikës, veçanërisht të asaj historike, Tashko Lako ka dhënë një kontribut mjaft të rëndësishëm. Kjo është lidhur sidomos me aktivizimin e tij në krye të Komitetit të Veteranëve të Rrethit Fierit, detyrë të cilën ai e mbajti prej disa vitesh. Në këtë zhanër futen 10 tituj që kapin qindra faqe të mbushura me ngjarje, data dhe vënde “të nxehta” historike të cilat evokohen për vlerat e tyre të pakrahasueshme dhe vihen në shërbimin edukativ dhe patriotik të brezave.
Edhe pse nuk është më mes nesh, Tashko Lako do të mbetet “Qytetar Nderi i Fierit”.
🙏Personalitete që lënë gjurmë!


You must be logged in to post a comment.