
Bashkimi i të gjitha partive opozitare do t’i kthente zgjedhjet e prillit në një garë kokë më kokë mes mazhorancës dhe opozitës. Kjo, sipas një sondazhi në Euronews Albania, i kryer në bashkëpunim me kompaninë MRB.
Opozita e Bashkuar do të merrte 42.7% të elektoratit, ndërsa Partia Socialiste do të merrte 44% të votave. Të pavendosurit janë në masën 7.4%, ndërsa ata që nuk do të votojnë përllogariten në masën 4.6%. (foto lart)
Megjithatë, sondazhi zbuloi se prirja e votës shkon drejt PS (41.8%), pasuar nga PD me 28.2% të votave, një hendek ky prej 13.6% të elektoratit.
LSI vazhdon të jetë sipas projektimit forcë e tretë me 10.3% të votave, pasuar nga PDIU me 1.5%.

3 muaj përpara zgjedhjeve, 1600 shqiptarë janë përgjigjur ballë për ballë në një intervistim në shtëpitë e tyre dhe 2000 të tjerë në mënyrë telefonik, se cilat janë shqetësimet e tyre, si e vlerësojnë ata ekonominë, punën e qeverisë apo të opozitës dhe sa vota do të marrin partitë politike, nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë javë. Janë 5 sondazhe në total që do të zhvillohen periodikisht deri në ditën e zgjedhjeve.
Studimi u shtri në 12 zona elektorale, periudha e intervistave ishte 22 dhjetor 2020 -13 janar 2021 ku metodologjia e kampionimit ishte shtresëzim me shumë faza/kampione të rastësishëm. Persona me të drejtë vote, të ndarë në mënyrë të barabartë sipas gjinisë u janë përgjigjur 43 pyetjeve.
Qëllimi i sondazhit është hulumtimi i mendimeve dhe qëndrimeve të qytetarëve shqiptarë për zgjedhjet e 25 prillit 2021.


