Eksperti kryesor për sëmundjet infektive në Shtetet e Bashkuara, Antony Fauci ka thënë në një intervistë për Zërin e Amerikës se sipas përllogaritjeve, imuniteti i tufës ndaj koronavirusit do të arrihet pasi të vaksinohet 70 deri në 85 për qind e popullatës.

Duke folur për variantet e reja të koronavirusit, të paraqitura në disa vende si Mbretëria e Bashkuar, Afrika e Jugut, Brazili dhe Kina, Fauci thotë se ata të gjithë janë virus SARS-CoV-2, por kanë dallime të vogla që mund të çojnë në një ndryshim funksional.


“Domethënë antitrupat mund të mos reagojnë në mënyrë efektive kundër tyre. Ndonjëherë kjo i bën atë më të transmetueshëm. Ne e dimë që varianti i Mbretërisë së Bashkuar, si dhe ai i Afrikës së Jugut dhe me shumë mundësi varianti brazilian transmetohen shumë më lehtë”, ka thënë Fauci.

Eksperti amerikan thotë se vaksinat aktuale të koronavirusit, siç janë: Moderna, Pfizer dhe së shpejti edhe Johnson&Johnson, mund të jenë efektive ndaj koronavirusit të ri.

“Jo plotësisht sikurse në virusin që ka qenë me ne nga fillimi, por sërish kanë një shkallë të lartë të mbrojtjes, në veçanti kundër sëmundjeve të rënda, domethënë shtrimit në spital dhe vdekjeve”, ka thënë Faucci, duke shtuar se vaksinat kundër koronavirusit kanë siguri dhe, sipas tij, rreziku ndaj COVID-19 është jashtëzakonisht më i madh se rreziku i një dëmi që mund të ndodhë nga vaksina.

Trending