Zakonisht premtimeve të fushatës u del boja gjatë qeverisjes, por zotimit të Edi Ramës se Francesco Becchetti nuk do të merrte asnjë lek i ka dalë boja ende pa u bërë qeveria e re. Pagesa ka nisur tashmë. Biznesmeni italian ka marrë milionat e para dhe mënyra se si paratë e taksapaguesve shqiptarë po transferohen në llogaritë e italianit janë zbuluar nga MCN.

Bëhet fjalë për paratë  e Eurocontrol që duhet të vinin në Albcontrol, por që tashmë konfiskohen rregullisht për llogari të biznesmenit që fitoi gjyqin në arbitrazh.

Çdo avion që kalon në hapësirën ajrore të Shqipërisë, paguan një tarifë të caktuar, e cila në termin teknik njihet si en-route charge, raporton MCN

Këto tarifa, shoqëritë e fluturimit ja paguajnë Eurocontrolit në Bruksel. Më pas Eurocontrol i shpërndan ato tek vendet përkatëse në mënyrë periodike. Në rastin e Shqipërisë, Eurocontrol i derdh paratë në arkën e Albcontrol, shoqërisë shqiptare të shërbimeve të navigimit ajror.

Në vitin 2019, Shqipëria fitoi 25.3 milionë euro nga tarifa e përdorimit të hapësirës ajrore. Në vitin 2020, kur trafiku ajror u reduktua ndjeshëm për shkak të pandemisë shumë ra në 11 milionë euro. Por këtë vit, me rimëkëmbjen e industrisë ajrore, fluturimet kanë shënuar një rritje të ndjeshme dhe të ardhurat po ashtu duhet të rriteshin. Megjithatë në arkat e Albcontrol nuk po hyn më asnjë e ardhur nga tarifa e përdorimit të hapësirës ajrore.

Llogaria e Albcontrol në Eurocontrol është e bllokuar dhe prej muajsh të ardhurat që duhet ti derdheshin Shqipërisë kalojnë direkt në llogarinë e biznesmenit italian.

Shuma që i është konfiskuar shtetit shqiptar dhe ka kaluar për italianin është minimalisht 3 deri në 4 milionë euro. Llogaria e Shqipërisë në Eurocontrol do të vazhdojë të qëndrojë e bllokuar derisa biznesmeni Italian të konfiskojë të gjithë shumën e gjobës 110 milionë euro, e cila bashkë me interesat tashmë ka arritur në 120 milionë euro.MCN

Trending