
Në mesazhin ku njoftoi ikjen nga LSI, Luan Rama nuk i kurseu falenderimet as për Ilir Metën, as për Monika Kryemadhin me të cilët ka bashkëpunuar prej 13 vitesh. Ai premtoi se do të mbetet votues i të njëjtës forcë politike dhe tha se me aktin e dorëheqjes po mbante përgjegjësi për mosarritjen e objektivit në Vlorë.
Në këtë pikë, nuk e fshehu kontradiktën. “Drejtuesi mban përgjegjësi, edhe kur nuk është përgjegjës” ishin fjalët e kandidatit të renditur i pari në Vlorë në listën e LSI, qark ku kjo forcë politike nuk mori asnjë deputet.
Luan Rama kërkoi që akti i dorëheqjes të mos i konsiderohet as braktisje, as shitje e blerje e as tradhti, ndërsa shpjegoi se në Vlorë u përpoq të ngrihej “mbi pengesat, intrigat dhe shpifjet e gjithëfarëllojshme, që LSI të arrinte rezultatin që meritonte”, por nuk ia arriti për shkak të faktorëve që ai i quajti jashtëpolitikë.
Numri dy I partisë i referohet për herë të parë një situate të paprecedent politike, që u krijua në Vlorë para zgjedhjeve të 25 Prillit. Rreth dy javë para ditës së zgjedhjeve, Ilir Meta, Monika Kryemadhi dhe Petrit Vasili zbarkuan në këtë qytet në mbështetje të kandidates që ishte renditur e dyta në listë, Grisejda Myslimi. Lëvizja ishte e beftë dhe shkaktoi kaos. Mediat raportuan për situatën e çuditshme që u krijua në kampin e LSI-së, ku drejtuesit e forcës politike dukej sikur shënjestronin Luan Ramën. Presidenti Meta, i angazhuar tërthorazi në fushatë lëshoi disa deklarata që linin të kuptohej dyshimet se Luan Rama po bënte lojë të dyfishtë.
Pasi akuzoi Damian Gjiknurin se po përgatiste të njëjtin skenar si në Dibër me blerjen e votave dhe intimidimin e qytetarëve, Meta u shpreh në një televizion lokal. “Mandatet e Vlores nuk do ti shkojne krimit te organizuar dhe as mafies se inceneratoreve. Ju me pyesni pse Luan Rama takon qytetare me kapuçe ne koke ne Vlore sepse nese do te jete e vertete ky lajm besoj edhe Luani do te ishte me kapuç. Jam ketu per tju garantuar se Vlora nuk i toleron tradhetaret dhe jam ketu qe te mos toleroj prekjen e votes nga askush. Ka një skenar edhe me njerëz të infiltruar brenda LSI për të trafikuar votat e vlonjateve” – tha Meta.
Edhe Petrit Vasili udhëtoi drejt Vlorës. Në media u shfaq me kandidaten e renditur e dyta në Vlorë Griselda Myslimin, ndërsa i bënte thirrje qytetarëve ta votonin masivisht. Në anën tjetër, Luan Rama nuk e ushqeu përplasjen.
I pyetur nga mediat se çfarë po ndodhte në këtë qark ai shprehej: “Presidenti ka detyrën dhe agjendën e vet si kryetar i shtetit, që nuk ka të bëjë me LSI. Me kolegun Vasili jam takuar dhe kemi folur për fushatën dhe kryetarja e LSI-së ka qenë këtu”.
Por duket se rezultati i 25 Prillit e forcoi bindjen e Ilir Metës së Luan Rama ishte pjesë e një axhende tjetër. Dorëheqja e tij vjen pas zhvillimit të kampingut të Jalës, ku ishin të ftuar disa kandidatë të LSI (edhe humbës), por Luan Rama ka munguar. Ndërkohë në faqen e presidentit në Facebook, pak ditë më parë ra në sy një citim nga Papa Francesku, që Ilir Meta e kishte përzgjedhur për të treguar hipokrizinë në politikë: “Çfarë është hipokrizia? Është frikë përballë së vërtetës. Hipokriti ka frikë se mund të dalë në shesh e vërteta. I pëlqen më shumë të shtiret, sesa të jetë vetvetja. Shpesh hipokrizia fshihet në vendin e punës, ku ndokush përpiqet të shtiret si mik me kolegët, ndërsa nuk synon tjetër gjë, veçse t’i godasë mbas shpine. Në politikë nuk është gjë e rrallë të takohesh me hipokritë, të cilët jetojnë një jetë të dyfishtë, atë publike e atë private, që ndryshojnë si nata me ditën. Nuk duhet t’i harrojmë kurrë fjalët e Zotit: ‘FJALA JUAJ LE TË JETË: PO, PO; JO, JO!”/Lapsi.al

