
Përfaqësuesi i Real Estate Real Deal, Armand Shkëmbi i ftuar në emisionin Ekonomi Plus të moderatores Klaudja Karabolli në Syri Tv, foli për zonat në Tiranë që preferohen për të blerë apartamente.
Shkëmbi theksoi se zona e Liqenit të Thatë është bërë shumë e preferuar. Ai shtoi se të preferuara janë edhe Komuna e Parisit, Ali Demi, Astiri, Fresku, ndërsa tregoi edhe disa çmime për metër katrot për këto zona të kryeqytetit.
“Përpara shtatë vitesh që unë jam bashkuar me këtë industri, të gjithë donin Bllokun. Sot Blloku nuk është më kaq atraktiv, kanë dalë qendra të tjera. Bie fjala Liqeni i Thatë dikur ka qenë fshat, nuk shkonte njeri, apartamentet deri 3-4 vjet më parë ishin 700 deri në 800 euro metër katrori. Sot ka ndërtues aty që pretendojnë deri 1300 euro metri katrori. Ka rritje të çmimeve të apartamenteve në zonën e Liqenit nga infrastruktura, por edhe se ke ku del, ku lëviz.
Komuna e Parisit është atraktive, por janë zënë hapësirat ku mund të ndërtosh. Janë bërë atraktive Fresku dhe Astiri e familjet buxhetore zgjedhin më shumë këta zona. Ali Demi ka pasur rritje të jashtëzakonshme ku kuotohen apartamente deri në 1200 euro. Pastaj kemi zona tradicionale si Unaza e Re, që mbetet e preferuar edhe për investitorët, sepse mund të marrin apartamente me qira. Lekët e shqiptarëve shkojnë për shtëpi, ndërsa mund të shkojnë për agro turizëm, turizëm, që prodhojnë ekonomi. Apartamentet nuk prodhojnë ekonomi, me siguri sepse kemi traditë familjare që duam shtëpinë modoemos”, deklaroi Shkëmbi.

