Silvinho e mbajti premtimin

Nga ROLAND QAFOKU
Duhet të pickojmë veten. Nuk është ëndërr. Është mëse e vërtëtë. Shqipëria realizon fitoren më të rëndësishme, më me vlerë dhe më dinjitoze në të gjithë historinë e saj afër 100-vjeçare. Me fitoren 3 me 0 ndaj Çekisë, kombëtarja jonë tashmë është një këmbë larg Evropianit Gjermani 2024. Me 13 pikë të grumbulluara dhe me golavarazhin 11-3, nuk ka më dyshim që historia e futbollit shqiptar do shkruhet ndryshe. E kujt është merita? Rregulli është që kur ka sukses ai ndahet në shumë pjesë. Por merita kryesore është e trajnerit nga San Paolo i Brazilit, Sylvio Mendes Campos Junior, ose siç e njohim ne Silvinho. Ai është dirigjenti, arkitekti dhe zbuluesi i talenteve, por mbi të gjithë zbulues i shpirtit shqiptar që dëshiron të arrijë suksese të mëdha. Mund ti marrësh me radhë të gjithë futbollistët për atë që bënë në fushë dhe të gjithë kanë meritë. Nga snajper Asani te princ Seferi. Nga macja Berisha, te brigadier Gjimshiti, te plaku I ri Mitaj, te pozicionali Hysja, të dirigjenti Asllani, te shkëmbi Ramadani, te gladiator Çikalleshi, te i rikthyeri Ajeti e deri te baletmaestro Bajrami. Apo edhe te rezervat luftëtarët Daku dhe Muja e deri te lodruesi Muçi. Por, mbi të gjithë është ai, dirigjenti Silvinho. Dhe mos thoni më se është rishtar në drejtimin e një kombëtareje. Ishte trajneri i dytë i kombëtares së Brazilit dhe nuk është pak kjo në karrierë. Trajneri i dytë i një vendi me 2 milionë futbollistë, në trajner i parë i një vendi me 2 milionë banorë, nuk është rritje në karrierë. Është prelud për një sukses shumë të madh. Dhe ai e mbajti premtimin që bëri në këtë foto kur mori drejtimin e këtyre djemve. Jemi një hap larg Gjermani 2024. Faleminderit mister!

Trending