
Policia e Fierit tha të shtunën se arrestoi në flagrancë një punonjës të sektorit të pastrimit të një kompanie private me aktivitet në përpunimin e hidrokarbureve dhe procedoi penalisht administratorin e kompanise Shaban Guni dhe përgjëgësin e sektorit të pastrimit Met Backa.
Sipas policisë oficerë e sektorit të krimit ekonomik kanë kapur punonjësin e kompanisë duke shkarkuar mbetjet e hidrokarbureve në ish zonën e -Uzinës së Përpunimit të Naftës në Fier.
Një ditë më parë, policia e Fierit tha se nisi procedimi penal për drejtues të kompanisë publike, “Albpetrol” dhe të kompanisë së nxjerrjes së naftës, “Terra Oil” për shkarkimet e naftës që ndotën lumin Gjanica gjatë kësaj jave.
Polica tha se “nga hetimet rezulton se 2 kompanitë ku janë përgjegjës 3 shtetasit, nëpërmjet aktivitetit të tyre në fushën e hidrokarbureve, kanë ndotur ujërat e lumit Gjanica, pasi kanë shkarkuar aty, mbetjet e këtyre lëndëve.
Sipas policisë së Fierit, shkarkimet janë bërë nga depozita të 2 kompanive që janë aktive dhe jo nga gropat e vjetra ekologjike të mbetjeve të naftës.
Referimi në prokurori nga policia është bërë për drejtorin e Qendrës së Prodhimit të Naftës Klaudio Alisinani, përgjegjësin e Sektorit të Dekantimit Patos, Sokol Ahmataj, të kompanisë publike të naftës “Albpetrol, si dhe për drejtorin e operacioneve të hidrokarbureve të kompanisë “Terra Oil” Edmond Bejtaj,
Kompanitë i kanë mohuar përgjegjësitë duke deklaruar se nga depozitat e tyre nuk ka pasur shkarkim të naftës në mjedis.
Disa herë në vit lumi “Gjanica”, që përshkon qytetin e Fierit merr ngjyrë pothuajse të zezë dhe në të gjithë zonën mbizotëron era e rëndë e naftës e shkaktuar, sipas banorëve, nga mbetjet e hidrokarbureve që hidhen në lumë.
Organet mjedisore kanë vendosur më parë masa administrative me gjobë dhe pezullim aktiviteti për disa subjekte që veprojnë në fushën e hidrokarbureve, por ndotja e lumit nuk është frenuar.
Qeveria shqiptare ndërmori vitet e fundit një projekt për rikonceptimin e qendrës së qytetit të Fierit, me vlerën e rreth 6 milionë dollarëve, pjesë e të cilit ishin edhe ndërhyrjet në një pjesë të shtratit të lumit “Gjanica”.
Projekti synonte ta kthente lumin Gjanica në një nga asetet më të rëndësishme natyrore të zonës urbane të qytetit të Fierit, por ndotja e lumit nga hidrokarburet vijon ta cënojë këtë objektiv.


You must be logged in to post a comment.