Opozita e drejtuar nga dyshja Berisha-Bardhi i jep fund protestave në parlament pasi Edi Rama i jep 2 nga 8 komisionet hetimore dhe uljen në tryezë për negociatat për reformën zgjedhore, duke nxjerrë jashtë loje PD e Vulës së Lulzim Bashës që ende për pak ditë është në negociata për reformën zgjedhore.

Sipas asaj që u diskutua në mbledhjen e konferencës së kryetarëve, opozita ra dakort të ndalë protestën në parlament pasi iu dha e drejta që të hetojë konçensiont në shëndetësi dhe dyshimet për vjedhjen e të dhënave të sistemit TIMS në Ministrinë e Brendshme.

Pjesa e dytë e marrëveshjes është ngritja e një nënkomisioni ku Partia Socialistë angazhohet të diskutojë me atë pjesë të opozitës të drejtuar nga dyshja Berisha-Bardhi për ligjet që kalojnë me 3/5 e votave në parlament, duke zhvlerësuar negociatat që po zhvillohen ndërkohë me PD e Vulës në Komisionin për Reformën Zgjedhore.

Kreu i Grupit Parlamentar të PS Blendi Çuçi e quajti një “lajm të mirë” faktin se opozita u ul në Konferencën e Kryetarëve dhe tërheqjen nga protesta në parlament.

“Është lajm pozitiv që më në fund opozita u ul në Konferencën e Kryetarëve. Sot u duk sikur rivendosëm dialogun dhe bashkëbisedimin aty ku e lamë në tetor 2023. Sot vendosëm në Konferencën e Kryetarëve, që të rregullohen objektet për dy komisionet hetimore, që ata i propozuan vetë se cilët janë. Ishte frymë e mirë për vazhdimin e një jetë normale parlamentare në vend. Unë besoj se ata janë të bindur se aksioni i tyre nuk i çon askund”

Edhe kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi tha se mazhoranca ka reflektuar për komisionet hetimore, megjithëse dihet se komisionet do të zhvillojnë punimet sipas ligjit të ri.

“Maxhoranca ka reflektuar pas 5 muajsh. U refuzua kërkesa e opozitës për ndryshimin e kryetarit të Komisionit të Reformës Zgjedhore. Kemi rënë dakord në parim për ngritjen e Komisionit Hetimor për kontratat koncesionare korruptive në sektorin e shëndetësisë dhe për ngritjen e Komisionit Hetimor për ndërhyrjen në të dhënat personale në sistemin TIMS. Opozita ka pasur gjithmonë gatishmërinë për normalitet në parlament. Nënkomisioni do t’i duhet t’i japë Shqipërisë ligje, që janë në interes të shqiptarëve. Ne do të zbatojmë vetëm Kushtetutën”, deklaroi Bardhi.

Gjithsesi në prononcimet pas marrëveshjes, Bledi Çuçi nuk u nxitua për ta zhbërë tërësisht komisionin aktual të reformës zgjedhore ku bashkëkryetar është përfaqësuesi i PD-së së Vulës, Enkelejd Alibeaj.

“Nuk ka asgjë për Reformën Zgjedhore. Zgjedhorja ka një Komision që funksionon. Komisioni Bipartizan po punon për të vendosur më të mirën për Reformën Zgjedhore”, deklaroi Çuçi.

Zërat kundër brenda opozitës

Menjeherë pas rënies dakort për marrëveshjen brenda opozitës janë dëgjuar zërat që kundërshtojnë paktin me socialistët. Një prej tyre ishte Ervin Salianji sipas të cilit kjo marrëveshje e dëmton opozitën. “Perceptimi që do krijohet është që krijuam Sherr për 5 muaj që të ulemi me Ramën, ne nuk mund të bëjmë sherr për t’u ulur me Ramën!” ka thënë ai.

“Nëse ju thoni që aksioni ka pasur sukses marrim vendim si grup parlamentar dhe rikthehemi por që të hyjmë në normalitet se u ulëm me Ramën do krijojmë perceptim dëmtues për opozitën dhe do jemi joseriozë siç ka ndodhur shpesh në këtë parti e këtë seli që radikalizohemi që të marrim vëmëndjen e Ramës ndërkohë që vëmëndjen dhe besimin duhet ta marrim tek qytetarët! Ky akt i sotëm na bën dhe më pak të besueshëm!” është shprehur Salianji që e quan të nxituar ndërprerjen e protestave.

Edhe deputeti Tritan Shehu e quan të nxituar thirrjen për fitore nga ana e opozitës. Sipas tij, dy komisionet hetimore nuk janë sukses për opozitën. “Gjendja është përkeqësuar me burgojsen e Berishës. Mund të ketë alternativa, fantazi. Por ama mos mendojmë se nëse marrim dy komisione arrijmë suksesin. Suksesin nuk e kemi me PS-më por me elektoratin tonë, kur ne na përkarhin ashtu si në protestë”, ka thënë Shehu.

Ai vazhdon se opozita nuk duhet ta ketë fokusin më tek komisionet hetimore, në kushtet kur kreu i saj është i arrestuar.

“Unë flas mendimet e mia, realisht duhet të koncentrojmë aksionin tonë në atë që është më tragjike. Izolimi politik i kryetarit të partisë. Ky aksion duhet bërë brenda dhe jashtë parlamentit. Unë nuk thashë as kaos, as bllokim, duhet koncentrim për të kundërshtuar burgosjen e kryetarit të partisë. Kështu do të vepronte çdo parti. Kjo është kauza jonë. Është e larmishme, e gjërë nuk është vetëm në parlament”, shprehet Shehu.

Prej 5 muajsh në protestë, opozita kërkoi fillimisht 8 komisione hetimore, që nga afera McGonigal, udhëtimet e Ramës me charter, afera e portit të Durrësit etj. Dy komisionet për të cilat mazhoranca ka pranuar të votojë pro do të funksionojnë me ligjin e ri, që e ka tkurrur hapësirën për hetime.

Në anën tjetër, që nga tetori, opozita ka akuzuar kryeministrin Rama se qëndron pas arrestimit të kreut të opozitës Sali Berisha, të cilit shumë shpejt do t’i digjet edhe mandati i deputetit, pasi SPAK nuk e lejon të betohet./Lapsi.al

Trending