
I ftuar në intervistën e Fax News, kryetari i Lëvizjes “Thurja”, Endrit Shabani foli rreth nismave të ndërmarra nga Prokuroria e Posaçme dhe çështjen e sterilizimeve.
Shabani u shpreh se kjo çështje ka nisur me kallëzimin e Lëvizjes “Thurja”. Ai tha se Lëvizja ndjehet mirë që SPAK ka marrë iniciativën për hetimin e ish-ministrit Beqaj, por sipas tij, ndaj Beqajt rëndon vetëm një akuzë, për arsye të vonesës nga ana e Prokurorisë.
Rreth thënieve të zotit Beqaj se e vërteta do dalë në pah, Shabani ndau këtë opinion:
“Shpresoj që Gjykata të nxjerrë në pah të vërtetën. Kemi të bëjmë me një devijim të prioriteteve të qeverisë. Prioriteti i vetëm ka qenë pasurimi i 3-4 individëve. Shpresoj që GjKKO ta konfirmojë këtë. Për të pasur një drejtësi reale nuk mjafton vetëm ndëshkimi i këtyre ndividëve, por edhe konfiskimi i pasurisë së paligjshme. Publikut duhet t’i kthehet pasuria e vjedhur.”
-Albi Rakip: A mendoni se SPAK do mjaftohet vetëm me dënimet të tipit “2 vjet heqje lrire”, apo masë “detyrim-paraqitje”, duke ditur që këto kanë qenë dënimet që kanë marrë zyrtarë të tjerë?
-Endrit Shabani: Gjykata vendos për masa të ndërmjetme derisa të përfundojnë hetimet, më pas ajo jep vendimin përfundimtar, që mund të jetë me burg. E rëndësishme është që çdo zyrtar të mos e bëjë gjumin të qetë. Paratë nuk kanë shkuar për spitalet apo për investime të tjera, jo sepse nuk kemi të ardhura, por sepse ato janë vjedhur. Prandaj them që nuk mjafton vetëm burgu, por edhe konfiskimi i pasurisë së paligjshme. Këtë Gjykata e ka si pushtet.
I pyetur nga gazetari Albi Rakip nëse një ditë drejtësia do të arrijë të triumfojë, Shabani dha këtë përgjigje:
“Ky nuk është një destinacion, por një proces i cili do të vazhdojë. Drejtësia duhet të vazhdojë në këtë drejtim. Edhe vendet e zhvilluara përballen vazhdimisht me këtë sfidë. Ajo që kemi parë, është që drejtësia ka dalë nga ‘gjumi letargjik’. Rama do perpiqet me të gjitha mekanzimat për ta penguar drejtësinë, por SPAK do ta pengojë. Prandaj mendoj që, po, do të triumfojë”.
Shabani gjithashtu u shpreh se kryeministri Rama është i rrethuar nga një ekip hajdutash, të cilët vjedhin pas shpinës së tij, por edhe në bashkëpunim me të. Ai shtoi se për aq kohë sa Rama do të vazhdojë të qëndrojë në pushtet, Shqipëria do vazhdojë të vidhet nga të korruptuarit.


You must be logged in to post a comment.