Arbëreshët e Horës përkujtuan 531-vjetorin e ardhjes së tyre në këtë vend, afër Palermos, në periudhën e pushtimit otoman të vendlindjes – Arbërisë.Qyteza  ‘Hora e Arbëreshëvet’ u themelua më 30 gusht të vitit 1488 nga një grup shqiptarësh nga viset shqiptare e nga Himara që kishin ikur nga pushtimi i perandorisë turko-osmane, që detyroi familje e vendbanime të tëra të braktisnin vendlindjes, në kërkim të lirisë, përtej detit Adriatik, në Itali.

Kryeprifti arbëresh Papas Jani kujtoi punën e priftërinjve e të Kishës arbëreshe për ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës, të traditës dhe të identitetit të këtij komuniteti, si Imzot Pal Schiroi dhe nipi tij papas Gjergji, posaçërisht për përdorimin e arbërishtes si në të folur ashtu edhe në shkrime e në kremtime liturgjike e fetare

Teksa festojnë Ditën e Themelimit të vendbanimit të tyre, pasardhësit e bashkëluftëtarëve të Skënderbeut, manifestojnë me krenari rrënjët e tyre që i lidhin me vendin amë, Shqipërinë dhe mikpresin me dashuri e bujari prekëse delegacionet e mbërritura nga Shqipëria e gjithandej nga Diaspora.

Për t’iu bashkuar gëzimit të tyre me rastin e ngritjes së përmendores së Heroit tonë, mbretit të parë të shqiptarëve, Gjergj Kastriot Skënderbeut, e për të dëshmuar afërsinë, kujdesin, dhe ndjenjat e pamohueshme vëllazërore, Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali i ka surprizuar por edhe ngazëllyer banorët vendas, duke u veshur me kostumin e tyre tradicional, si për t’u sjellë një mesazh e porosi nga Shqipëria: ne jemi një!

“Bustet dhe emri i Skënderbeut tij u japin hijeshi  shesheve dhe rrugëve në Tiranë, Prishtinë, Romë, Gjenevë, Zyrih, Paris, Londër, Bruksel, Budapest, Shkup e madje edhe në Miçigan e Çikago, në Shtetet e Bashkuara.

Tani Gjergji vjen në bronx si shenjt mbrojtës dhe monument kujtese edhe në qytetin tuaj si për të na kujtuar ne të gjithëve, që na bashkon një “gjuhë e një gjak”, se secili nga ne sot, e fëmijët tanë nesër, do të jemi po secili një gur në piedestalin e pavdekshëm të Kastriotit tonë”, tha Spiropali.

Aktivitetet në Horën e Arbëreshëve janë të shumta këto ditë, teksa kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë ka vizituar muzetë vendorë, kishat, bibliotekat, institucionet shtetërore, si dhe ka biseduar e kuvenduar shqip me arbëreshët patriotë e mikpritës të Siçilisë.

Trending