
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar lidhur me faktin se deputeti socialist Plarent Ndreca, u mor i pandehur nga SPAK-u.
Përmes një postimi të një video në rrjete sociale, në pamjet e së cilës shihet Ndreca duke mohuar të ketë një kallëzim penal ndaj tij, Bardhi shprehet se socialisti ka gënjyer publikisht, e se e vërteta doli pas disa ditësh.
“S’është e vërtetë. Zero kallëzim për mua. Zero shpenzim i bërë nga buxheti i shtetit!”, shprehet Plarent Ndreca i ftuar në një studio televizive.
Demokrati shton më tëj se tenderat publike janë kthyer në mundësi vetëm për klientë të paracaktuar, duke eliminuar garën dhe meritokracinë.
“E vërteta është që tenderat publik në Qeverinë e Edi Ramës janë kthyer në mundësi vetëm për klientë të paracaktuar, duke eleminuar garën dhe meritokracinë. Klientelizmi dhe korrupsioni janë e vetmja formë për të bërë biznes në Shqipëri gjatë qeverisjes së Edi Ramës.”, shprehet Bardhi.
Kujtojmë se Plarent Ndreca u thirr një ditë më parë nga Prokuroria e Posaçme për t’u njohur me akuzën që rëndojnë ndaj tij, por u paraqit ditën e sotme avokati i deputetit, Ermal Yzeiraj.
Këtij të fundit iu komunikua akuza që rëndon ndaj Ndrecës, ajo e “shkeljes së barazisë në tendera”.Ndreca akuzohet për abuzim me një tender për rikonstruksionin e 4 komisariateve gjatë kohës që mbante pozicionin e sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme.
REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI:
Deputeti i Edi Ramës gënjeu publikisht kur deklaroi se është e pavërtetë që është nën hetim nga SPAK. Por, gënjeshtra mbulon zullumin vetëm për disa orë apo ditë, por e vërteta triumfon përgjithmonë!
E vërteta është që tenderat publik në Qeverinë e Edi Ramës janë kthyer në mundësi vetëm për klientë të paracaktuar, duke eleminuar garën dhe meritokracinë. Klientelizmi dhe korrupsioni janë e vetmja formë për të bërë biznes në Shqipëri gjatë qeverisjes së Edi Ramës.
Për këtë nevojiten zyrtar publik si Plarent Ndreca, që për shërbimet në shkelje të ligjit, për mbështetjen ndaj klientelizmit dhe korrupsionit, shpërblehen nga Edi Rama duke u promovuar si deputet!





You must be logged in to post a comment.