
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka lëshuar një paralajmërim të ri ndaj Iranit, duke deklaruar se çdo sulm ndaj trupave amerikane do të pasohet nga kundërpërgjigje e fortë.
“Sa herë që Irani vret një ushtar amerikan, ata do të paguajnë një çmim shumëfish për atë vrasje!”, shkroi Trump në platformën e tij sociale Truth Social.
Ai bëri të ditur se urdhri u është përcjellë drejtuesve më të lartë ushtarakë amerikanë, përfshirë sekretarin e Luftës, Pete Hegseth, kryetarin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Daniel Kane, si dhe udhëheqës të tjerë ushtarakë.
Ndërkohë, duke iu përgjigjur deklaratave të kryetarit të Bashkisë së Nju Jorkut, Zohran Mamdani, i cili kishte sugjeruar arrestimin e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu nëse ai do të vizitonte qytetin, Trump deklaroi:
“Netanyahu nuk do të arrestohet kurrë ndërsa ndodhet në Shtetet e Bashkuara. Netanyahu po lufton kundër Iranit.”
Ndërkohë, mediat ndërkombëtare raportojnë për shpërthime në dy provinca në jug të Iranit, ndërsa tensionet mes Uashingtonit dhe Teheranit vijojnë të mbeten të larta.


Leave a comment