Fragment nga films

Filmi i shumëpritur “The Odyssey”, me regji të Christopher Nolan, po shfaqet edhe në kinematë e Chicagos, duke tërhequr vëmendjen jo vetëm për historinë epike të Homerit, por edhe për një element që ka ngjallur krenari te shqiptarët në mbarë botën: përdorimin e fyellit shqiptar dhe të polifonisë shqiptare në kolonën zanore të filmit.

Kompozitori fitues i çmimit Oscar, Ludwig Göransson, udhëtoi në jug të Shqipërisë për të regjistruar nga afër tinguj autentikë të iso-polifonisë shqiptare dhe të fyellit tradicional, duke i konsideruar ato si zërin ideal për të përcjellë atmosferën e lashtësisë dhe udhëtimin e Odiseut. Sipas tij, këto tinguj mbartin një emocion të rrallë, që nuk ishte dëgjuar më parë në një prodhim të kësaj përmase të Hollywood-it.

Iso-polifonia shqiptare, e shpallur nga UNESCO si pjesë e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit, përfaqëson një nga format më të vjetra të këndimit tradicional në Evropë. Bashkë me tingullin karakteristik të fyellit shqiptar, ajo krijon një atmosferë misterioze dhe të fuqishme që i përshtatet në mënyrë të përkryer rrëfimit mitologjik të “Odiseut”.

Për komunitetin shqiptar në Chicago, ky është një moment krenarie. Për herë të parë, miliona shikues në mbarë botën do të dëgjojnë tinguj që burojnë nga tradita shqiptare në një nga filmat më të rëndësishëm të vitit. Kjo dëshmon se kultura shqiptare ka një vlerë universale dhe se muzika jonë tradicionale mund të komunikojë emocione që kapërcejnë gjuhët dhe kufijtë.

Shumë shqiptarë në diasporë tashmë po e shohin filmin jo vetëm si një spektakël kinematografik, por edhe si një mundësi për të promovuar identitetin kulturor shqiptar në arenën ndërkombëtare. Tingulli i fyellit dhe harmonitë e polifonisë shqiptare bëhen kështu pjesë e një historie që do të dëgjohet në kinematë e botës, duke e vendosur kulturën shqiptare në qendër të një prej produksioneve më prestigjioze të Hollywood-it.

Leave a comment

Trending