Një lajm i trishtë ka prekur komunitetin e ushtarakëve dhe mbarë opinionin publik. Është ndarë nga jeta në moshën 91-vjeçare Luftar Salo Petoshati, ish-ushtaraku i shquar, autori, sindikalisti i palodhur dhe aktivisti që ia kushtoi tërë jetën Shqipërisë dhe mbrojtjes së të drejtave të kolegëve të tij.

I lindur më 9 korrik 1935 në Dukat, Luftar Petoshati rriti brezin e artë të ushtarakëve pas Luftës së Dytë Botërore. Pas përfundimit të Akademisë së Lartë Ushtarake dhe diplomimit në Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Historisë dhe Gjeografisë, ai shërbeu me nder për afro 40 vite në çdo cep të Shqipërisë, duke sakrifikuar shpesh edhe kohën larg familjes në emër të betimit ndaj Atdheut.

Episodi human në kohën e diktaturës: Një burrë jashtë kornizave të regjimit

Përtej uniformës dhe gradave, Luftar Petoshati kujtohet nga miqtë dhe bashkëkohësit si një njeri fjalëëmbël, me një komunikim të jashtëzakonshëm dhe një kurajë të rrallë njerëzore. Një episod dëshmues i karakterit të tij daton që nga periudha e egër e diktaturës komuniste. Ndonëse mbante pozicionin e një ushtaraku të lartë, Luftari nuk ngurroi të kapërcente ndasitë politike të kohës për hir të vlerave njerëzore.

Një mik i familjes kujton momentin kur Luftar Petoshati trokiti në derën e një familjeje të persekutuar nga regjimi i asaj kohe, për të kërkuar dorën e vajzës së shtëpisë për djalin e tij. Kur kryefamiljari, i vetëdijshëm për rrezikun dhe “biografinë” që mbante mbi supe, i tha tek dera: “Mendon se je në derë të gabuar?”, Luftari me urtësinë dhe burrërinë që e karakterizonte u përgjigj: “Po hyj në një derë që rrallë peshtyn njeri”. Kjo deklaratë dhe ky hap tregonin se për të, dinjiteti, ndershmëria dhe emri i mirë i një familjeje qëndronin mbi çdo ligj apo propagandë të kohës.

Kontributi pas viteve ’90

Pas daljes në lirim, ai nuk zgjodhi qetësinë. Luftar Petoshati u bë një nga figurat më të respektuara të jetës publike dhe sindikale në vend. Ai shërbeu si Kryetar i SHKURSH-it për Vlorën dhe më pas u zgjodh Kryetar i Sindikatës së Ushtarakëve në nivel kombëtar. Ai ishte gjithashtu Kryetar i Pensionistëve të Shqipërisë, duke u kthyer në zërin dhe mbështetjen e mijëra të moshuarve dhe ushtarakëve në rezervë e lirim.

Si një veteran i devotshëm dhe atdhetar i paepur, ai luftoi me guxim për Statusin e Ushtarakut dhe shkroi artikuj të shumtë në gazetën “Telegraf”, duke u përballur me padrejtësitë dhe burokracinë. Motoja e tij jetësore mbetej e qartë: “Ushtaraku nuk kërkon privilegje, por vetëm drejtësi për sakrificat dhe shërbimin që i ka bërë Atdheut.”

Ndarja e tij nga jeta lë pas një dhimbje të chellë për fëmijët e tij (Kimet, Hemnolina, Adrian) dhe të gjithë rrethin e gjerë shoqëror e ushtarak. Emri dhe vepra e tij do të mbeten të gjallë si një shembull i rrallë përkushtimi dhe ndershmërie.

I qoftë i lehtë dheu i nënës Shqipëri, të cilës i shërbeu deri në frymën e fundit! Ngushëllime të sinqerta familjes dhe të gjithë kolegëve ushtarakë!

Trending