
Bordi Ekzekutiv i Bankës Kombëtare të Serbisë ka vendosur në mbledhjen e djeshme t’i heqë licencën e ushtrimit të aktivitetit bankar Alta Bank, me seli në Beograd, bëhet e ditur në një njoftim zyrtar të institucionit.
Alta Bank është në pronësi të biznesmenit Davor Macura, i cili në mesin e muajit tetor u kthye nga aeroporti i Podgoricës, pasi autoritetet malazeze i refuzuan hyrjen në vend për arsye të sigurisë kombëtare.
Banka Kombëtare e Serbisë, pas kryerjes së veprimeve të kontrollit dhe vendosjes së masave të përkohshme, me qëllim mbrojtjen e depozituesve dhe kreditorëve të tjerë, si dhe parandalimin e përhapjes së efekteve negative në shoqëri dhe ekonomi, vendosi më 30 tetor t’i revokojë licencën e ushtrimit të aktivitetit bankar Alta Bank ad Beograd.
Njëkohësisht, përmes vendimit për plotësimin e kushteve për nisjen e procedurave të falimentimit ndaj kësaj banke, Banka Kombëtare e Serbisë ia ka kaluar administrimin Agjencisë së Sigurimit të Depozitave. Gjithashtu, janë nisur procedurat përkatëse ndaj bankës, aksionarëve të saj, organeve drejtuese dhe personave të tjerë përgjegjës”, thuhet në njoftim.




Leave a Reply