
Historikisht populli amerikan nuk lejon që një parti ta ketë gjithë pushtetin
Dje, amerikanët bënë atë që e kanë bërë shumë herë gjatë historisë. Dy vite pasi zgjodhën bindshëm Presidentin republikan Donald Trump, dolën në votime dhe ia dhanë kontrollin e Kongresit Partisë Demokrate.
Ky është një nga shembujt më të mirë se si funksionon demokracia amerikane.
Amerikanët nuk duan që një parti të kontrollojë gjithçka: Shtëpinë e Bardhë, Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin. Ata duan që pushteti të ndahet dhe të dyja partitë të marrin pjesë në vendimet që merren për vendin e tyre.
Gjatë mbi 40 viteve të fundit, pothuajse çdo president amerikan, republikan apo demokrat, ka përjetuar humbje të partisë së tij në Kongres gjatë zgjedhjeve të mesmandatit. Ja disa shembuj:
- Në vitin 1986, gjatë mandatit të dytë të Presidentit republikan Ronald Reagan, demokratët ruajtën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe morën kontrollin e Senatit.
- Në vitin 1994, dy vite pasi Bill Clinton u bë president, demokratët humbën kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit.
- Në vitin 2014, gjatë presidencës së Barack Obamës, demokratët humbën kontrollin e Senatit, pasi kishin humbur Dhomën e Përfaqësuesve në vitin 2010.
- Në vitin 2018, gjatë mandatit të parë të Donald Trump, republikanët humbën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve.
- Në vitin 2022, gjatë presidencës së Joe Biden, demokratët humbën kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve.
- Këtë vit, në 2026, gjatë mandatit të dytë të Donald Trump, republikanët humbën kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit.
Presidentët dhe partitë ndryshojnë. Por mesazhi i popullit amerikan mbetet i njëjtë: Asnjëra parti nuk duhet ta ketë gjithë pushtetin në dorë.
Zgjedhjet për Kongres janë edhe një mundësi që amerikanët t’i kërkojnë llogari presidentit dhe partisë së tij. Në fushata zgjedhore zakonisht premtohet ekonomi më e fortë, çmime më të ulëta, paga më të larta dhe jetë më e mirë për familjet amerikane.
Por pas dy vitesh, nëse qytetarët mendojnë se jeta nuk u është përmirësuar, ata kanë mundësinë të reagojnë me votën e tyre. Për 250 vite, populli amerikan ka luftuar dhe punuar për të mbrojtur këto liri dhe demokracinë e tij.
Komuniteti ynë shqiptaro-amerikan 🇦🇱🇺🇸 kurrë nuk është shqetësuar nga ndryshimet në Kongres. Kjo sepse ne gjithmonë kemi punuar me të dyja palët, demokratë e republikanë, dhe do të vazhdojmë të punojmë me të dyja partitë.
I përgëzoj të gjithë miqtë tanë, demokratë dhe republikanë, që u rizgjodhën ose siguruan për herë të parë një vend në Kongresin amerikan. Ne do të vazhdojmë të punojmë për të ardhmen e Amerikës dhe për forcimin edhe më tej të miqësisë mes Shteteve të Bashkuara dhe popullit shqiptar në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës.
Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjithë amerikanët, kudo që janë!
Nga Harry Bajraktari






Leave a Reply