Shqipëria duhet t’i paguajë Fredi Belerit mbi 5 mijë euro si dëmshpërblim për burgosjen e tij. 

Vendimi është marrë nga Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, e cila e ka cilësuar vazhdimin e paraburgimit të Belerit si joproporcional dhe të pambështetur në arsye të mjaftueshme. 

TVILIRIA LIVE
Lajmet dhe transmetimi LIVE
▶ SHIKO LIVE

Sipas vendimit të gjykatës, arrestimi ishte i justifikuar por shkelje përbën zgjatja e mbajtjes së tij në paraburgim. Në vendim theksohet se pas përfundimit të hetimeve më 19 korrik 2023, autoritetet shqiptare duhej të rivlerësonin nëse vazhdimi i masës së arrestit në burg ishte ende i nevojshëm. 

Sipas Strasburgut, gjykatat shqiptare nuk morën në konsideratë sa duhet faktin se hetimet kishin përfunduar dhe dosja ishte dërguar për gjykim. Gjithashtu, nuk u paraqitën prova konkrete se Beleri mund të ndërhynte në dëshmitë apo provat e çështjes. 

Gjykata vuri në dukje edhe se nuk ishin shqyrtuar në mënyrë të mjaftueshme lidhjet familjare dhe ekonomike të tij me Himarën, si dhe mundësia e zëvendësimit të paraburgimit me masa më të buta sigurie.  

Kështu, Gjykata e Strasburgut vendosi që Shqipëria t’i paguajë Fredi Belerit 450 euro për dëmin jopasuror dhe 5 mijë euro për shpenzimet gjyqësore, në total 5,450 euro, pa përfshirë taksat e mundshme. Megjithatë, Gjykata rrëzoi kërkesën e tij për kompensimin e të ardhurave të humbura gjatë periudhës kur nuk mundi të ushtronte detyrën e kryetarit të Bashkisë së Himarës. 

Fredi Beleri u arrestua më 12 maj 2023, nën dyshimet për shitblerje votash, ndërsa në zgjedhjet vendore të atij viti u zgjodh kryetar i Bashkisë së Himarës. Ai nuk arriti të betohej dhe të merrte detyrën për shkak të paraburgimit. Më pas u dënua me dy vite burg për korrupsion aktiv në zgjedhje.

Leave a Reply

Trending